Qysh një personazh fiktiv e vuri në pikëpyetje realitetin e kosovarëve - NACIONALE

Qysh një personazh fiktiv e vuri në pikëpyetje realitetin e kosovarëve

1 vit më parë

nga Vullnet Krasniqi

  • Teksti është një përshkrim i mysafirit në formatin më të ri të video kastit në Nacionale, që ende sigurt nuk ia kemi lënë emrin. Për këtë arsye, këtë episod pilot kemi vendosur ta titullojmë “Podcast n’Kauq”.

Edonin e njoh që nja 5-6 vite. Herat e para e mbaj mend që e kam takuar nëpër party në orët e para të mëngjesit. Më vonë si një aktor e këngëtarë. E qe nja 2 vite edhe si drag queen.

Transformimet dhe eksperimentimet e tija artistike kanë qenë shpesh të guxishme, të pamenduara mirë sesi do të funksionojnë, e pa ndonjë plan se çka të bënte me eksperimentet e tija.

Nja 5-6 muaj para se të bëhej jashtëzakonisht i famshëm, pasi hyri në një format të një spektakli ku kryefjala është izolimi dhe ekspozimi 24 orë, Edonit i pata thënë se “pikërisht eksperimentimi i tij i vazhdueshëm” është një lloj arti i tij. Ose punë artistike.

Si drag queen, Edoni ka krijuar Victoria Owns. Pak kush në Kosovë e dinte se çka është një “drag queen”. Nëse e përktheje nga anglishtja të dilte një shpjegim i pa kuptueshëm “mbretëreshat e zhagitura” është përkthimi që të ofrohet nga “google translate”. Nëse kërkon në youtube “drag queen” sheh disa spektakle madhështore të realizuara në Holliëood. Asgjë e qartë. Andaj edhe ska pas asnjë debat për “drags”.

Deri me 5 dhjetor 2022. Nata kur nisi “Big Brother VIP Kosova” dhe teksa po e shikoja Live në “Youtube” bashkë me 50 mijë të tjerë, menjeherë mu kujtua se ajo që po përcjellja ishte në fakt një ngjarje që do të kujtohet si momenti kur shoqëria kosovare skishte sesi të mos diskutonte dhe ta injoronte “drag kulturën”.

Dhe si për çdo gjë që njerëzit nuk e kuptojnë, fillimisht ka refuzim dhe frustrim. Si zakonisht, shoqëria kosovare e cila ende sfidohet që ta kuptojë dallimin mes seksit dhe gjinisë, e kishte shumë të zorshme që ta kuptonte dallimin mes “personit”dhe “karakterit” si dy gjëra që janë komplet të ndryshme edhe për nga gjinia.

Por Edoni si person dhe karakteri i tij drag i Victoria, ishin aty, 24 orë nën vëzhgimin e kamerave, 24 oë live në dy kanale. Miliona shikime për çdo ditë. Qindra-mijëra komente nga audienca. Dhe normalisht kryefjala ishte Edoni.

Por pse bash Edoni? Egziston një arsye e vetme: ai përfaqëson gjithcka që kjo shoqëri është e mësuar që të mos e pranojë: lirinë për të luajtur me gjininë duke e grimosur seksin.

Qe edhe më thjeshtë: Edoni për shkak se si drag ishte Victoria,iu vy në dyshim dhe pikëpyetje seksualiteti. Gjithsesi ai duhet të jetë gay sipas shoqërisë kosovare që ta bëjë këtë. Por Edoni nuk iu prezantua ashtu sikurse ata donin. Edoni ishte gjithçka që shoqëria patriarkale e Kosovës nuk është mësuar ta shoh tek funksionon.

Ja ky Edoni paska femen”, ishte komenti i shumë njerëzve që shkruanin nëpër videot e prera nga brenda shtëpisë së Big Brother VIP Kosova. Por si mundet një djal që paska lidhje me një çikë, të jetë përsëri burrë edhe pse veshet si grua? Pyetje e tillë bazike që nuk kërkon shumë kokë ta kuptosh, për shumicën në Kosovë, përbënte mister.

A nuk është burri, një macho që tallet me “feminitetin si diçka që tregon dobësi”? A mundet njeri me i pëlqy edhe djemt edhe çikat? A qenkan reperat edhe “aleat të LGBT-së”? A mundet një homobof të paraqitet si një aleat i LGBT-së? A është termi “dyftyrësh” diçka e keqe apo tash është një përparësi? Kah po shkon kjo botë mor jaro?

Pikepytje të tilla dashje pa dashje u vendosën në kokat e kosovarëve të cilët përmes një karakteri fiktiv po e njihnin realitetin e tyre që po del të jetë më fiktiv sesa karakteri i Edonit si drag. Mund të mos duket e tillë tani, por në një të ardhme të afërt do të kuptohet sesi kjo që e ka bërë Edoni në Big Brother do të shënohet si një pikënisje e ndryshimit të realitetit të tanishëm gjinor dhe seksual.

Por që ky debat të niste duhej dikush të pranonte që të bëhej “shënjestër” e shfryrjes së frustrimit nga shokimi që marrin njerëzit kur shohin diçka që e dinin si “haram”, “të ndaluar”, “të pamorlashme” dhe “kundër traditës sonë”.

Të jesh në shenjestër të fyerjeve është diçka që askush se dëshiron. Por të tjerët zgjehdin të merren me ty duke të fyer, sharë e kërcënuar. Pastaj të jesh në një shtëpi në të cilën shumica “bëhen sikur të pranojnë” por në fakt mezi presin që të vendosin në “shënjestër” dhe të largojnë nga aty.

Krejt këto lënë trauma të mëdha emocionale me të cilat duhet të ballafaqohesh i vetëm. Tash që Big Brother ka përfunduar për të, si do ta përballojë Edoni traumën e krijuar nga ky spektakël?

“E kam Victorian për këto punë”, thotë Edoni në këtë bisedë diku gjatë intervistës që ju ftoj ta ndjekni:

Lajme të ngjashme