Nacionalja brenda Klinikës Emergjente ku koha matet me rrahjet e zemrës - NACIONALE

Nacionalja brenda Klinikës Emergjente ku koha matet me rrahjet e zemrës

4 javë më parë

nga Eriola Cacaj

Stafi i Emergjencës në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës punon me orar 24-orësh.

Gazeta Nacionale ka kaluar një ditë me ta, ku mjekët dhe infermierët kanë treguar se ndërrimin e fillojnë në orën 08:00 të mëngjesit dhe e përfundojnë në të njëjtën orë të nesërmen.

Ata kanë folur gjithashtu për sfidat dhe vështirësitë që përballen gjatë punës së tyre.

Nacionale ka biseduar me Dr. Vjollca Haklaj, Specialiste e Emergjencës, e cila theksoi se çdo minutë në emergjencë është i rëndësishëm.

Haklaj tregoi në detaje se si pranohet ndërrimi, çfarë kontrollohet dhe cilat informacione merren nga ndërrimi i mëparshëm.

Ne e kemi ndërrimin 24-orësh, ku fillojmë në orën 08:00 të mëngjesit dhe e përfundojmë në orën 08:00 të mëngjesit tjetër. Para fillimit të ndërrimit bëjmë kontrollimin e pajisjeve, të barnave, të ambientit, dhe referohen rastet që kanë qenë gjatë 24 orëve, si dhe ato që kanë mbetur nga ndërrimi i natës – cilat procedura janë kryer dhe cilat duhet të vazhdojnë.” – ka thënë Haklaj për Nacionalen.

Doktoresha Haklaj, ndër aspektet më të rëndësishme të punës së saj, përmendi komunikimin dhe bashkëpunimin me stafin.

Ajo gjithashtu para kamerës tregoi shtratin e reanimimit dhe pajisjet përcjellëse, duke theksuar rëndësinë e çdo sekonde.

Këtu çdo sekondë është i rëndësishëm. Nuk ka vend për panik – vetëm për veprim të shpejtë, mendim të qartë dhe bashkëpunim.” – tha doktoresha, pranë shtratit të reanimimit.

Ajo dha gjithashtu detaje për secilën pajisje që ndodhet në këtë dhomë të emergjencës.

Për Nacionalen, për punën në ndërrimin 24-orësh në Emergjencën e QKUK-së, foli edhe infermieri Shkëlzen Bresilla, i cili tha se puna në emergjencë është sfidë në vetvete.

“Është shumë sfiduese, sepse çdo ditë ka raste të ndryshme – asnjëherë nuk është i njëjti rast. Ka raste nga më të lehtat deri te më të rëndat: politrauma të rënda, arrest kardiak, njerëz pa shenja jete, që me përkushtim dhe punë të përbashkët të gjithë stafit, ndonjëherë për një orë, mundohemi ta rikthejmë dikë në jetë.” – ka thënë Bresilla.

Ai tregoi se puna në emergjencë është punë ekipore, ku duhet të jenë katër ose pesë mjekë dhe po aq infermierë, pasi, sipas tij, kjo punë nuk mund të kryhet me një ekip më të vogël.

Patjetër që duhet të jemi bashkëpunues, sepse nëse nuk bashkëpunojmë, nuk mund të arrijmë asgjë.” – përfundoi infermieri Bresilla.

VIDEO:

Lajme të ngjashme