"Na liro dhomën": U tha se refuzuan Kombëtaren e Kosovës, Federata e Hendbollit i përzuri vëllezërit Tahirukaj nga grumbullimi, ja arsyet?
"Na liro dhomën e hotelit, dorëzo rekuizitat e kombëtares dhe shko shërohu në Zvicër se kështu nuk na duhesh asgjë" - Këto ishin fjalët që Drilon Tahirukaj pranoi nga përfaqësuesit e kombëtares, pasi ata kuptuan që lojtari vuante nga një lëndim në gjurin e tij të djathtë.
Ka pasur shumë polemika sa i përket grumbullimit te fundit të Kombëtares së Kosovës në Hendboll, pasi që dy nga lojtarët kryesor të kombëtares u tha se nuk iu përgjigjen pozitivisht ftesës nga selektori Bujar Qerimi.
Në fakt Federata e Hendbollit në njoftimin e saj për listën e të ftuarve nuk shpjegoi asgjë, vetëm u tha se Drilon e Drenit Tahirukaj nuk iu përgjigjen ftesës së kombëtares.
Por a i ka shkuar në mendje ndokujt se çfarë mund të jetë arsyeja që këta dy hendbollistë të mos i përgjigjen pozitivisht ftesës së selektorit? A ka menduar dikush ndonjëherë se ndoshta është një arsye shumë e fort pse duhet të mos pranohet ftesa? Për ata që nuk e dinë Driloni dhe Dreniti janë vëllezër të rritur në një familje me plot vlera kulturore e sportive. Ata kanë qenë gjithmonë të gatshëm të japin edhe atomin e fundit për fanellën e Kosovës, por gjithçka ndryshoi brenda një dite dhe këtë më së miri e dinë përgjegjësit e federatës së hendbollit të Kosovës. Çfarë ndodhi në grumbullimin e fundit kur ishte prezent Driloni e që kishte një lëndim shumë serioz në gjurin e tij të djathtë me ç 'rast edhe u desh të operohej?

Me 20 prill Kreuzlingen po zhvillonte lojën e fundit në ligën zvicerane, ku në atë ndeshje Driloni pësoj lëndim serioz por në shikim të parë nuk u duk edhe aq serioz, menjëherë pas ndeshjes në Zvicër, Driloni dhe Dreniti udhëtojnë për në Kosovë për ta përfaqësuar sa më mirë Kosovën kundër Malit të Zi.
Ishte data 22 prill kur grumbullohej kombëtarja dhe aty ishin edhe Driloni dhe Dreniti si gjithmonë, më pas u pajisën me të gjitha rekuizitat e kombëtares dhe vazhduan drejt dhomave të hotelit për të pushuar deri në kohën e stërvitjeve.
Gjatë kësaj kohe, doktori i kombëtares së Kosovës kryen disa teste në gjurin e Drilonit dhe kupton se lëndimi ishte më serioz se sa dukej në shikim të parë.
Me t’u informuar përfaqësuesit e federatës, ajo që ndodhi pastaj ishte me të vërtet një nga veprat më të ulëta qe mund t’i bëhen një sportisti e sidomos një përfaqësuesi të shtetit.

Në ato çaste deri sa të gjithë ishin në dhoma dhe po pushonin, në dhomën ku po qëndronte Driloni bashkë me A.M vjen një telefonat nga recepsioni i hotelit dhe kërkohet që Drilon Tahirukaj ta lirojë menjëherë dhomën e hotelit, të dorëzojë të gjitha pajisjet e kombëtares dhe të shkojë në shtëpi sepse nuk i duhet askujt në këtë gjendje.
Përkundër se selektori Qerimi kishte fjalë të tjera dhe që Driloni duhet të jetë me ekipin, të tjerët e dërguan në shtëpi.
Por edhe përkundër kësaj Driloni e bindi vëllain e tij që të qëndrojë me ekipin dhe ta përfaqësojë shtetin deri në fund të atyre kualifikimeve, përpos kësaj edhe pse i larguar në atë mënyrë Driloni prapëseprapë erdhi në ndeshjen kundër Malit të Zi dhe qëndroi në dhomat e zhveshjes me ekipin dhe i motivojë në mënyrën më të mirë të mundshme.

Vëllezërit Tahirukaj edhe pse u keqtrajtuan në këtë formë nga përfaqësuesit e federatës, do të jenë në pritje të Kombëtares së Kosovës dhe nuk kanë në plan të ndryshojnë ambient. Këtë e konfirmoi vetë Drilon Tahirukaj për gazetën Nacionale.
“Do ta presim Kosovën, por normalisht njëherë jemi në revoltë ndaj padrejtësive të treguara ndaj nesh.”
