"Na ka mytë": Depoja e pemëve në Podujevë bëhet shkrumb e hi, dëmet mbi 3 milionë euro
Të dielën që shkoi, depoja e pëmëve në Kërpimeh të Podujevës është djegur pothuajse tërësisht, duke shkaktuar dëme të mëdha. Madje, sipas pronarit të depos “Te Kastrati”, dëmet shkojnë mbi tre milionë euro, ndërsa vetëm produkte kishte në vlerë 1 milion euro.
Në depon e djegur, ende mund të nuhatet lirshëm era e tymit, ndërsa pemët si boronica e mjedra janë djegur tërësisht, duke qenë të papërdorshme për eksport e ngrënie.
Në rrëfimin e tij, Baki Kastrati, punëtor në këtë depo që nga viti 2008, tregon se kur nisi zjarri, ai ishte në depo.
“Po e shihni vetë dëmi që është shkaktuar këtu. Unë jam kanë brenda në objekt, duke i përgatitur shliperin për transport për Gjermani, na mbetën mangu edhe tri paleta, qaty. Duke ia ngjit tiketat, e pshtolla, e shtina, mu ndal rryma, edhe thash po lunë rryma. Erdh pas një minuti, u ndal prapë. Unë jam kanë në objekt, kur janë ardhë disa punëtorë, ma kanë çel derën e më kanë thanë “u dil se u kalle”. Kur jam dal, çka me pa, flakën, krejt pjesën përmas, edhe e përfshiu krejt” – e nis rrëfimin e tij, Bakiu.
Në rrëfimin e tij, Bakiu tregon se fatmirësisht nuk kishte të punëtorë të lënduar nga zjarri.

“Të lënduar nuk ka pasë, aty këtu kapak prej flakes, kemi tentu me shkymë me zjarrfikësa” – tha Bakiu, i cili tregon edhe dëmet materiale që i shkaktoi rryma.
“Dëmi, sipas pronarit, është tre milionë euro. 1 milionë e diçka veç mall ka pasur, veç dëmi që u shkaktu është mbi 3 milionë euro” – thotë Bakiu.
Dhjetëra punëtorët e kësaj depoje, tash janë të frikësuar për të ardhmen e tyre. Në rast se nuk rimëkëmbët kjo depo, ata rrezikojnë të mbesin pa punë.
“Kjo na ka mytë, veç mërzit boll, dy ditë në vete nuk jam ardhur, prej lotëve tu kajt sa qaq, se prej qetuhit e kam pasur bukën. Qetu kam hangër, kam pi, krejt prej qesaj i kam shkollu fëmijët. Nejse, jo vetëm unë, por edhe shumë punëtorë prejt qetuhit janë të varun. Kanë punu, i kanë shkollu fëmijët e qështu” – tha ai.