Me çizme llastiku nëpër shtëpi duke kontrolluar se a shpëtoi ndonjë fije pasuri nga vërshimet - NACIONALE

Me çizme llastiku nëpër shtëpi duke kontrolluar se a shpëtoi ndonjë fije pasuri nga vërshimet

1 vit më parë

nga Festim Gërguri

fotografitë: Visar Kadrolli

Çizmet e llastikut të ftohta nga uji i janarit po ia ngrinin këmbët Xhafer Zyhranit derisa po ia mësynte shtëpisë, për të kontrolluar nëpër ujin ngjyrë kafe ende brenda, se a ka mbetur diçka nga pasuria e tij për t’u shpëtuar.

Fytyra i spërkatej me dëshpërim kur shihte pasurinë e tij që ishte mbytur tërësisht. Por, ajo spërkatje në fytyrë i ujiste shpresë në zemër për të vazhduar tutje, kur kujtohej se 15 orë më parë e gjithë familja i shpëtoi gjallë me ndihmën e zyrtarëve të lartë komunalë.

Shtëpia dykatëshe e prindërve të tij dukej si një ishull në mes të liqenit që mbeturinat po i silleshin rreth duke lundruar, e shpesh kur prekeshin me të edhe ndaleshin aty për të pushuar nga noti i lodhshëm njëditor.

Ky lak vazhdonte kështu derisa banorët e Lagjës Zyhrani të Llaushës së Skenderajt i vinin në ndihmë Xhaferit me fëmijë për t’i treguar se edhe këtë fatkeqësi do ta kalonin bashkë, ani pse të gjithë banorët e lagjes ishin të prekur nga vërshimet.

Turbullimi i ujit e bënte Xhafën të mendonte dy herë ku ta hedhë hapin tjetër. Luftën me vërshimet e fitoi si Pirro, por këmbët e tij s’duronin të rrudheshin edhe njëherë nga uji që mund të hynte përmbi çizme, nëse ai do të binte në ndonjë gropë e cila patjetër që do të ishte pushtuar nga uji.

Ndërsa në shtëpi – aty ku s’kishte gropa – mendohej dy herë se çka mund të prekte me dorë, kur i kujtohej se prizat elektrike e kishin korruptuar ujin e vërshimeve, për ta rrezikuar Xhaferin edhe një herë të fundit.

Para portave të oborrit Xhaferi fliste para gazetarëve sikur gjahtari triumfues që ka vrarë prenë e tij, e cila për disa momente në jetën e tij kishte qenë armikja më e madhe me të cilën ishte ballafaquar.

Armiku i njëjtë e kishte vizituar edhe qytetin e Skenderajt, që sikur me qëllim, nga shkolla – institucioni më i rëndësishëm – refuzonte të largohej (thahej).

Po të mos e dije se në këtë qytet ka pasur vërshime një ditë më parë, të bënte të mendoje si ka mundësi që këto vetura të shtrenjta të “parkoheshin” aq keq.

Nëpër fushëbetejat ende aktive, luftëtarët po u çonin çizme llastiku familjarëve për të lëvizur, njëjtë si në luftë që dërgohet uniforma për ta shtuar edhe një ushtar kundër armikut vërshues.

Lajme të ngjashme