“Ma ka thye telefonin për toke” — Kompania e pastrimit detyron punëtorët që ditën e natën ta ruajnë kontejnerin e bërllokut - NACIONALE

“Ma ka thye telefonin për toke” — Kompania e pastrimit detyron punëtorët që ditën e natën ta ruajnë kontejnerin e bërllokut

3 vjet më parë

nga Festim Gërguri

“Kam nis me fotografu, i kam thanë ‘po du me fotografu’, ma ka qit në tokë (telefonin). A beson që ia kam kthye shpinën se më ka thënë ‘kthe shpinën ose kthehu tjetrën anë se po ta baj nanën ashtu e kështu’” – ankohet Abedin Hysenaj teksa ruan kontejnerin e bërllokut, i detyruar nga kompania për të cilën punon.

Për shkak të rolit që ka marrë Abedin Hysenaj, shpesh është ballafaquar telashe me qytetarët e papërgjegjshëm.

60-vjeçari punon për kompaninë e pastrimit “KRM Uniteti” në Mitrovicë.

Ulur në karrigen e tij, ai tenton të mos i lejojë qytetarët që të hedhin mbeturina inerte në kontejner.

“Çka ki aty?”, pyet ‘rojtar i kontejnerit’. “Bari. A bon me qitë?”, i përgjigjet qytetari që ka ardhur për t’i kontribuuar mbushjes së kontejnerit. “Po po, barin qite lirisht”, ia kthen Hysenaj.

Këtë punë ai e bën çdo ditë e çdo natë... në shi e në diell.

“Dmth unë ia caktoj, çka me qitë këtu. Unë i ndali, mu më ka ndodh që ma ka gju dhe thy telefonin. 8 orë i kam orar, 15 minuta para 8-ve vij këtu, deri në 15 para orës 4. Vjen ai kolegu më ndërron, ai deri në 12-1. Duhet edhe në shi e në borë me nejt nëse është nevoja” – e përshkruan Hysenaj rolin e tij në punë.

Derisa Gazeta Nacionale po e intervistonte Hysenajn, eprori i tij me emrin Sami, tentoi që ta ndalojë rojën të flasë me gazetarë.

“He Sami, fol shoku shef. Qitu jam me kamerë, kanë ardhë po më fotografojnë. Po nejse këta më morën, s’kam çka me bo. U bo” – dëgjohet Hysenaj teksa flet në telefon.

Qytetarët në Mitrovicë, fajësojnë kompaninë që detyron punëtorët të ruajnë.

“Ka ndodhë qitu kanë pasur problem dhe kanë ardhur te shamja e te e shtyrja” – thotë Qamil Musa, të cilit i bie që çdo ditë ta takojë Hysenajn teksa ruan kontejnerin e bërllokut.

“Turp është me pa dikush. 9:14 – 9:16 Çdo ditë të zotit, prej orës 7 – 7:30 që vije ky këtu, deri në ora 4 është qitu. 9:32 – 9:38 Kamerat me i qitë, që shtyllat, i qet dy kamera, ai që gjuan mbeturina i dënon, e jo me lanë këtu gjithë ditën me marr erë, pa hangër pa pi. Tmerri i zotit është kjo bre. 30 gradë ka qenë temperatura, 8 sahat me nejt ky këtu në diell. Tash edhe dimrit, është gjynah me lanë një 60 vjeçar me lanë tërë dimrin jashtë me punu këtu, është tmerr” – thotë Musa.

Kompania dhe Komuna, akuzojnë njëra-tjetrën për këtë çështje.

“Ne e kemi njoftuar edhe komunën sepse barra më e madhe shkon për inspektorët e komunës të cilët s’kanë bërë asgjë për ndaljen e këtyre veprimeve të paligjshme” – thonë nga kompania Uniteti.

“Ne kemi mendu që ndoshta mundemi me ndal, meqë pasi policia dhe inspektorati s’po veprojnë m’i ndalë këto veprime të jashtëligjshme, mos po mundemi ne pak a shumë sepse po na shkaktojnë humbje të mëdha” – arsyeton vendimin kompania Uniteti.

Ndërsa drejtori i Inspeksionit, Valon Brahimi, thotë për Nacionalen se përkundër që ka mungesë të inspektorëve, kompanisë s’i takon ta inspektojë mirëmbajtjen e ambientit.

“Ka mungesë, ne kemi shpallur konkurs për rritjen e numrit të inspektorëve, orari i tyre është prej orës 8 deri në 16, por në kushte dhe rrethana të caktuara, punohet edhe më orar të shtuar, dmth edhe në orët e natës” – thotë Brahimi.

“Autoriteti i vetëm kompetent për të inspektuar mirëmbajtjen e ambientit janë inspektorët komunalë” – shtoi Brahimi.

Teksa Komuna e Mitrovicës dhe Kompania Untieti fajësojnë njëra-tjetrën, Abedyn Hysenaj dhe kolegët e tij, po e ruajnë kontejnerin e bërllokut tash e disa muaj, ditë e natë.

Lajme të ngjashme