Kush po blen banesa në Prishtinë? - NACIONALE

Kush po blen banesa në Prishtinë?

2 vjet më parë

nga Mirlind Behluli

Çekanët e punëtorëve paralajmërojnë se banesat në ndërtim e sipër do të jenë së shpejti të gatshme për tregun e shitblerjes. Është një pamje që riprodhohet gati pafundësisht në Prishtinë. Në lagje të ndryshme, nga Lakrishtja në Veternik e Rrugët B, C e A, sheh banesa duke u ndërtuar. Në vështrimin e parë, sektori i patundshmërive duket një treg që po lulëzon.

Por, sipas Institutit GAP, pikërisht ky treg i shitblerjeve të banesave ka pësuar tkurrje në kryeqytet.

Njerëzit blejnë më pak, sepse janë më të varfër, por banesat vazhdojnë të ndërtohen. Madje, në tri vitet e fundit, Komuna e Prishtinës ka lëshuar dhjetëra leje për ndërtesa të reja. E çmimi i metrit katror? As mos gaboni të pyetni, ka ngritje të madhe.

Por kush po i blen ato – është pyetja për 1 milion euro. Ndoshta kosovarët e rinj? Diaspora? Ndoshta një palë e tretë?

Së pari, i pyeta kolegët e Nacionales, gazetarë të moshave nga mesi i të njëzetave deri në fund të tridhjetave, nëse kanë banesa në pronësi.

Nëse nuk i blejnë kosovarët e rinj, atëherë kush janë pronarët e mijëra banesave në Prishtinë? Ndoshta është koha të pyesim një njeri që merret me patundshmëri.

Agron Krasniqi nga “Pro Real Estate”, që është kompania më e madhe e patundshmërive në Prishtinë, tregon se shumica e banesave blihen nga vendësit. Sipas Krasniqit, nuk qëndron miti se diaspora po e mban të fryrë çmimin e metrit katror.

“Sa i përket neve, nuk është e vërtetë. Nuk mundemi me thënë saktësisht që diaspora po e rritin. Remitencat, të hyrat në Kosovë janë të mëdhaja. Ka gurbetqarë ose diaspora jonë që dërgon pare në Kosovë, të hollla dërgon, vjen personalisht, në bazë të të hyrave të transaksioneve bankare etj., dhe banesat blihen. Kur bëhet blerja e tyre, bëhet prej personave që jetojnë këtu, nuk mundesh me ditë saktë a është diasporë apo jo. Mirëpo, nëse e bëjmë një analizë të hulumtimeve tona, ndoshta 60 për qind janë blerës që jetojnë dhe veprojnë në Kosovë dhe pjesa tjetër është ajo e diasporës.” – deklaroi Krasniqi.

Ndryshe mendon Ilir Tahiri nga kompania e patundshmërive “Illyrians”, i cili thotë se në shumicën e rasteve, blerësit vinë nga diaspora. Për më shumë, Krasniqi beson se ka rënie drastike të shitblerjes së banesave.

“Kërkesa për blerje të patundshmërive gjatë tri viteve të fundit ka rënë dukshëm, sidomos në kryeqytet, në Prishtinë. Edhe pse ndërtimi nuk është duke u ndalur, por kërkesa për blerje ka rënë. Primatin për blerjën e banesave në Prishtinë e kanë diaspora, e cila gjithmonë ka investuar në patundshmëri. Në bazë të statistikave, para dy viteve investimi i diasporës në patundshmëri në Kosovë, ka qenë 120 milionë euro. Por dy vitet e fundit, edhe fuqia e tyre ka rënë sa i përket blerjes së patundshmërive.” – theksoi Tahiri.

Krasniqi e kundërshton idenë se ka rënie në tregun e shitblerjeve.

“Sipas statistikave tona dhe ngjarjeve reale që kanë ndodhur, çdo vit që nga viti 2020, ka pasur rritje të vazhdueshme të shitjve. Nëse e bëjmë një krahasim të tillë specifikisht për ato data, nuk ka ulje të shitjeve, por ka ngritje. Dikur rreth 8 për qind të rritje të banesave që janë shitur më shumë gjatë periudhës 2022 në krahasim me periudhën paraprake që ka qenë më 2021.” – shtoi Krasniqi.

Hmm…Dy mendime të ndryshme për një temë…natyrisht e vështirëson punën për të kuptuar të vërtetën. Jam konfuz, megjithatë, kam një ide: A na kryen punë një ekonomist për këtë temë?

Ekonomisti Lulzim Beqir mendon se fuqia blerëse e kosovarëve ka pësuar goditje në tri vitet e fundit.

“Qytetarët e Kosovës nuk kanë kapacitet financiar me ble banesa, sidomos në kohën e fundit, në dy-tri vitet e fundit, duke marrë për bazë pandeminë, inflacionin, gjendjen politike. Pjesa më e madhe e qytetarëve dëshirojnë me ikë prej vendit. Kostoja e jetesës është shtrenjtu jashtëzakonisht shumë, kemi vazhdimisht ngritje të çmimeve dhe qytetarët e kanë të pamundur me ble një banesë, shto kësaj edhe ngritjen e çmimeve.” – tha ekonomisti Beqiri.

Tashmë tema u komplikua tepër. Nëse ka rënie të blerjes, atëherë pse ka ngritje të çmimit të banesave, është pyetja më logjike në botë. Nuk besoni që ka ngritje? Hah…

“Ka rritje të çmimeve. Nëse e bëjmë një krahasim prej vitit 2020 deri tash ka rritje të çmimit deri në 40 për qind, nëse shkojmë te pjesa e zonës qendër. Qendra që e dimë është Pejtoni, Lakrishtja, sheshi, kjo pjesa afër, ku ti mundesh me shku në këmbë pa pasur nevojë per veturë, me i kry transaksionet tua ditore ose punët e tua personale, si të punës, si familjare. Te pjesët tjera, që është zona e “Prishtinës së Re”, “Rruga C”, edhe këtu ka një rritje këtu, sillet dikur prej 15 deri 20 për qind.” – tha ai.

Ekonomisti Beqiri ka një teori interesante se kush blen banesa në Prishtinë.

“Një pjesë të madhe të banesave që janë aktualisht “të pashitura” blehen nga politikanë, nga njerëz të korruptuar, të cilët i lanë si asete të tyre, por në emër të kompanive ndërtuese” – deklaroi ai.

Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, sektori i patundshmërive vazhdon të thithë shumicën dërrmuese të investimeve direkte të huaja. Përderisa në Prishtinë po ndërtohet me vrull, po aq me nxitim, gati në mënyrë raketore, po rriten edhe çmimet.

Duket se qytetarët e klasës së mesme, ku bëj pjesë edhe unë, i kanë dy zgjidhje: ose të jetojnë tërë jetën me qira, ose të hynë në kredi deri në fyt për të blerë një banesë.

Lajme të ngjashme