“Kemi hy kredi”: Qytetarët denoncojnë kompaninë nga e cila blenë banesa, por banesat s’i panë kurrë
I kemi pagu paret, kemi marrë kredi për të blerë banesa nga kompania ‘Kemi sh.p.k’. Kështu u shprehën disa qytetarë që dorëzuan dokumentet në polici, në stacionin në Fushë Kosovës, kundër kësaj kompanie, e cila thonë se i mashtroi, ua mori paratë e banesat nuk janë kurrkund.
18 qytetarë që thonë se u mashtruan nga kompania “Kemi sh.p.k’ – i janë drejtuar Policisë me dokumentacionet që kanë për blerjen e banesave nga kompania në fjalë dhe thonë se dy pronarët e kompanisë, ‘u zhdukën’ dhe nuk iu lajmëruan kurrë klientëve të tyre.
“Na jemi këtu para stacionit polior për ta paraiqur rastin në polici. i kemi marrë me parakontrata, me kontrata me të gjithë dokumentet që i kemi për mashtrimin që na është bë për rastin e banesave kur i kemi ble. Dikush i ka ble më 2017, dikush më 2018, dikush më 2019-20’. Të gjithë jemi të mashtruar prej Kemi sh.p.k.
Shpresojmë që policia, hetuesia e prokuroria të merren me mashtrimin që na është bë.
Ne jemi të zhgënjyer sepse personalisht kemi bë padi. Me sa kemi marrë informata gjykata e ka parashkru landën. Çka është në pyetje nuk po e dimë as vetë”, thotë qytetari i cili ka rënë pre e këtij mashtrimi.

(Screenshot nga Video, foto: Qytetari që thotë se u mashtrua nga kompania Kemi sh.p.k)
Ai i bën thirrje drejtësisë që të veprojë, pasi siç tha, ‘kanë marrë kredi për të blerë banesa’.
“Ne i kemi të gjitha dokumentet që kemi bë pagesën përmes bankave. Shpresojmë që policia të merren me njerëzit përmes të cilëve ne kemi blerë banesat.
Na kanë garantu se banesat janë tonat. Ata thonë tash se edhe neve na ka borxh kompania, por nuk e dimë se çka kanë bë me kompaninë dhe pronarët e tyre, me Samir Rexhën dhe Dren Rexhën.
Ne ju bëjmë thirrje të gjithëve që janë mashtruar. Jemi aktualisht 18 persona në grup. Ju bëjmë thirrje të merren me Gëzim Hasanaj dhe Burim Hasanaj – njerëzit përmes të cilëve i kemi ble banesat.
Po i presim organet e drejtësisë të merren me rastin. Por, paret nuk i falim. Ne kemi marrë kredi për këto banesa.
Ne do të vijmë sërish këtu, me protestu, do të shkojmë kah të mundemi, duam drejtësi”, tha ky qytetar.
Një tjetër qytetar që dorëzoi dokumente në polici, po ashtu shpreson që drejtësia ta trajtojë këtë rast.

(Screenshot nga Video, foto: Qytetari që thotë se u mashtrua nga kompania Kemi sh.p.k)
“Unë e kam ble banesën, i kam kontratat i kam të gjitha, krejt dokumentacionin e posedoj në mënyrë të rregullt. Çelësat e banesës kam pasë me i marrë me 30 qershor 2021, kur kam ardhë, banesa nuk është kry, ka mbetë vetëm puna e vrazhdë.
E thërras prej këtu Sami Rexhën, le të lajmërohet, ta dimë çka ka ndodhë. Unë faktikisht paguaj qira. Ta dime çka është në pyetje. Ia kam dhënë 30 mijë euro Sami Rexhës (njërit nga pronarët e kompanisë në fjalë), tha ai.