Intervista e Buzhalës: Krimet e luftës në Kosovë dhe avokati që punon vullnetarisht për t'i dënuar ato - NACIONALE

Intervista e Buzhalës: Krimet e luftës në Kosovë dhe avokati që punon vullnetarisht për t'i dënuar ato

1 vit më parë

nga Muharrem Kafexhiu

"Krimet e luftës". Mbetet edhe më tutje nga çështjet më të diskutuara në vendin tonë. Veç kësaj, përbën mbase edhe atë më të ndjeshmen.

Kjo temë do të diskutohet edhe sonte në episodin e radhës të Intervistës së Buzhalës, prodhim i Gazetës Nacionale.

I ftuar është Kujtim Kërveshi, një avokat kosovar që po angazhohet maksimalisht dhe atë në mënyrë vullnetare, që të kontribuojë sa më shumë rreth zbulimit të dëshmive faktike të këtyre krimeve në Kosovë.

Pse ky angazhim? Ku e ka gjenezën? Çka përjetoi ai që po e shtyen drejt kësaj pune? Më kë është duke punuar?

Përgjigjet e të gjitha këtyre pyetjeve do t'i gjeni në të dy pjesët e intervistës të publikuara tashmë në kanalin tonë zyrtar në Youtube, platformat sociale dhe në Radio Televizionin 21.

Gjithsesi, fillimisht këtu do t'i vëmë në pah disa prej pikëpamjeve të tij, ku shpalos detaje rreth pikënisjes së gjithë këtij angazhimi.

"Është një ekip Berat, ku ne punojmë në shoqërinë tonë të avokatisë. Realisht unë kam fillu që në kohën e studimeve me qenë kurreshtar për disa tema. Natyrisht, në atë kohë kur kam qenë student i ri i Fakultetit Juridik, nuk e kam pasë as kapacitetin intelektual e as atë financiar e as rrethin e mundësitë, për me arritë këtë që e kemi arritë tash, si temë. Por, kurreshtja nuk më ka lënë asnjëherë, sa herë kam shkuar në Pejë te prindërit, për shkak se vij nga Peja, m’u interesu për një strukturë shtetërore, e cila ka qenë aparat i “zullumit” të paskrupullt ndaj shqiptarëve civilë në Pejë", tha fillimisht Kërveshi.

Veç kësaj, ai tha se për të hyrë në këtë temë, i ka shërbyer një fotografi e një fqinji të tij, me të cilin kishin luajtur basketboll.

Sipas tij, vendi ku ata kishin luajtur basketboll gjatë verës së vitit 1998, ka qenë pikëtakim për të gjithë ata që kishin sadopak synime të merreshin me sport.

"Nuk e them unë këtë, këtë e thonë, faktet në terren, e thonë proceset të cilat janë zhvilluar edhe në Hagë më herët. E thonë edhe autorë të huaj dhe botues të librave të cilat e kanë hulumtu posaçërisht temën e Pejës. Si jurist i ri, për me hy në këtë temë, më pat shërbyer një fotografi e një fqinji tim me të cilin kam luajt basketboll në një vend që i themi ne “Kosharka”. Sot e mban emrin e dy basketbollistëve të njohur të ndjerë pejanë, të cilët kanë luajtur basketboll viteve të 90-ta, posaçërisht pas luftës. Ai ka qenë njëfarë vendtakimi, ku ne që kemi pas ambicie m’u marrë kapak me sport, basketboll ose futboll të vogël, aty e kemi pasë qendrën ku jemi grumbulluar".

Ndërkaq, në pjesën e fundit ai komentoi edhe disa prej pjesëmarrësve në një foto të përbashkët. Për njërin prej tyre thotë se ka qenë kriminel ordiner, që ishte angazhuar në transportimin në Serbi të gjithçkaje që u vodh gjatë luftës në Kosovë.

"Ka qenë një person, ndoshta në vijë ajrore me shtëpinë time, është ky që e ka një shenjë në ekran (bën me gisht drejt personit), ky që i ka duart e lidhura me një orë. Kjo fotografi është shkrepur në pushimoren e Deçanit. Më lart shihet aty, nëse më lejon një minutë me spjegu, i shihni pajisjet e larta ushtarake prapa. Këto uniforma që kanë këta pjesëtarë, të cilët unë i njoh personalisht, shumicën prej tyre dhe e di për shumicën prej tyre, aktivitetin e tyre personal, para dhe pas lufte.

Kjo është fotografi e verës 1998. Këto janë përgatitjet e hershme para ofansivës së madhe që i themi ne, gushtit-shtatorit. Ato mjete atje dhe këto uniforma këtu, ju vërtetojnë që ne nuk kemi të bëjmë me një grup të revoltuarve ose të vullnetarëve që ju kanë bashkangjitë dikujt për ndonjë kauzë patriotike. Këta janë kriminelë ordinerë. Posaçërisht njëri prej tyre ka qenë më ordiner dhe një nga përgjegjësit kryesorë për plaçkën e krejt luftës në Kosovë e që është transportuar për Serbi".

Lajme të ngjashme