“Holokausti i Kosovës” – Si i masakruan forcat serbe mbi 50 civilë shqiptarë dhe më pas i dogjën eshtrat e tyre? - NACIONALE

“Holokausti i Kosovës” – Si i masakruan forcat serbe mbi 50 civilë shqiptarë dhe më pas i dogjën eshtrat e tyre?

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Rreth 30 kilometra larg Prishtinës dhe politikave ditore të kryeqytetit, gjendet fshati Poklek, ku më 17 prill të vitit 1999, forcat serbe masakruan 54 veta, në mesin e tyre edhe 23 fëmijë të moshave nga 6-muajshe deri në 14-vjeçare.

Masakra që ndodhi në këtë fshat të Drenasit, me të drejtë e ka marrë epitetin “Holokausti i Kosovës”.

Leotrim Caraku është një prej të mbijetuarve të kësaj masakre. Ai ishte vetëm 9 vjeç në prill të vitit 1999, kur e pa ekzekutimin e nënës, vëllezërve e familjarëve të tjerë nga forcat serbe.

Unë e kam pasur kokën e vëllait mbi mua, atë e kishte goditur plumbi në kokë e gjaku i tij më kishte mbuluar mua. Ai (ushtari serb) ka gjuajtur derisa ka menduar që i ka mbytur të gjithë”, rrëfen tash 33-vjeçari për Nacionalen.

Masakra ndodhi në shtëpinë e Fadil Muqollit, të cilit forcat serbe ia vranë 14 anëtarë të familjes.

“Më 17 prill 1999 më janë vrarë babai, nëna, motrat (katër motrat), bashkëshortja, vajza ime dhe tre djemtë, bashkëshortja e vëllait me dy vajzat. Vajza ka qenë 14-vjeçare, djali 13, djali i dytë i ka pas 11 dhe djali i vogël i ka pasur 7 vjet”, tregon Fadili me lot në sy.

Në këtë dhomë ka ndodhur masakra. Këto janë shenjat e bombave, dy bombave që janë gjuajtur… Forcat serbe janë kthyer prapë pas një kohe, po atë ditë, dhe i kanë djegur. Të nesërmen, kanë ardhur prapë, i kanë djegur. Pas dy dite, prapë kanë ardhur, e kanë djegur dhomën dhe krejt shtëpinë… edhe i kanë tubuar eshtrat në dy qoshe të dhomës për t’i marrë me i zhdukë”, vazhdon rrëfimin Fadil Muqolli.

Pasi forcat serbe u larguan, ushtarët e UÇK-së – në mesin e tyre edhe Fadili - i morën eshtrat dhe i fshehën në pyll, për t’i varrosur pas luftës në mes të fshatit.

Çfarë ka bërë shteti i Kosovës deri më tash?

Fadil Muqolli nuk ka fjalë të mira për asnjë qeveri të pasluftës. Sipas tij, asnjëri nga udhëheqësit e vendit nuk ka bërë asgjë për të sjellë drejtësi për të vrarët në këtë masakër.

“Kur i shoh, jo veç këtë qeveri, por të gjitha qeveritë, që vijnë, premtojnë…pasi të largohen, as nuk duan të dinë. Edhe më vjen keq, shumë keq, kur e them këtë, se për këtë shtet sot nuk i kam 14 anëtarë (të familjes). Këtë vend nuk mund ta braktis, por veprimet e shtetit, deri tash, po më shtyjnë, po më ftohin, po m’i humbin shpresat për të jetuar në këtë vend. Jam tepër i zhgënjyer, ma kanë vrarë edhe shpresën.

Deri tash, askush nuk është dënuar për Masakrën e Poklekut.

Jo që janë dënuar (fajtorët), por as nuk kërkohen. Ka informacione, ka dokumente që dihet kush e ka dhënë urdhrin, dihet kush e ka pranuar urdhrin edhe dihet cila njësi e ka marrë urdhrin për të ardhur dhe për ta kryer këtë masakër, këtë holokaust, se tiparet e një holokausti i ka. Ne nuk duam kërkimfalje veç sa për të thënë kërkim falje, por kërkimfalja do edhe veprime, të cilat duhet t’i bëjë Serbia, t’i arrestojë kriminelët, t’i dënojë, edhe kërkimfalja vjen pastaj”, thotë Fadili.

Pas vizitës në Poklek në vitin 2019, ish-Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Lordi George Robertson, kishte thënë:

“Kush dyshon në drejtësinë e intervenimit të NATO-s, le të shkojë në Poklek”.

Gjatë luftës në Kosovë humbën jetën rreth 13.500 persona, shumica dërrmuese shqiptarë, ndërsa 1.600 ende konsiderohen të pagjetur.

Sipas të dhënave zyrtare, 1.024 fëmijë konsiderohen të vrarë gjatë viteve të luftës në Kosovë më 1998 e 1999, si dhe në muajt e parë pas mbarimit të luftës.

Lajme të ngjashme