Analiza e programeve zgjedhjore, IKD: Asnjë parti politike nuk ofron reformë të plotë në drejtësi
Instituti i Kosovës për Drejtësi ka publikuar raportin “Analizë e programeve të partive politike për zgjedhjet parlamentare Qershor 2026 – Qeverisja e Mirë, Sundimi i Ligjit dhe Integrimet Evropiane”.
Naim Jakaj, menaxher i programit në IKD prezantoi gjetjet e kësaj analize, ku tha se njëra ndër gjetjet është se asnjëra nga partitë politike nuk e trajton në mënyrë të plotë reformën në drejtësi në programet zgjedhore.
“Gjetja e parë është se asnjëra prej partive politike nuk e trajton në mënyrë të plotë reformën në drejtësi. Edhe pse të gjitha partitë flasin për drejtësinë, efikasitetin dhe luftimin e korrupsionit, asnjëra nuk paraqet një plan të plotë reformues që lidhet drejtpërdrejt me proceset që kanë dominuar debatin gjatë viteve të fundit. Zotimet e partive politike mbeten në nivel deklarativ, ndërsa këto zotime nuk realizohen me deklarata, por me plan konkret dhe llogari institucionale. Një nga mangësitë më të dukshme është mungesa pothuajse e plotë e referimit ndaj Strategjisë për Sundimin e Ligjit 2021–2026. Kjo strategji ka qenë dokumenti më i rëndësishëm shtetëror për reformën në drejtësi gjatë pesë viteve të fundit. Megjithatë, as LVV, as PDK, as LDK dhe as AAK nuk e trajtojnë atë si bazë të reformave të ardhshme.” – ka thënë ai ndër të tjera.
Ndërsa, Melos Kolshi hulumtues në IKD-ja, tha se fusha ku programet paraqiten më të dobëta është transparenca dhe llogaridhënia.
“Megjithatë, aty ku programet paraqiten më të dobëta është transparenca dhe llogaridhënia. Tre nga katër partitë politike nuk kanë paraparë masa konkrete për rritjen e transparencës në punën e Qeverisë dhe Kuvendit. Vetëm programi i AAK-së përmban propozime të drejtpërdrejta për monitorimin publik të shpenzimeve, kontratave dhe proceseve vendimmarrëse. Transparenca dhe llogaridhënia janë bazë e një qeverisje të mirë, andaj secila nga partitë është dashur ta kenë këtë indikator të detajuar dhe të prioritetizuar në programet e tyre pasi që e dijmë se qeveritë e Republikës, me theks të veçantë qeverisja e fundit, gjithëherë kanë pasur probleme në këtë drejtim dhe se reflektimi është sa i nevojshëm po ashtu edhe pashmangshëm.” - tha ai.
Kolshi, shtoi se partitë politike nuk ofrojnë mekanizma të mjaftueshëm për transparencë dhe llogaridhënie.
“Prandaj, përfundimi kryesor i analizës është se programet politike demonstrojnë vullnet për modernizimin e administratës dhe forcimin e kapaciteteve institucionale, por në shumicën e rasteve nuk ofrojnë mekanizma të mjaftueshëm për transparencë, llogaridhënie dhe depolitizim – elemente të domosdoshme për një qeverisje të mirë dhe për forcimin e besimit të qytetarëve në institucionet publike." - tha ai.