Luftë speciale përmes një mediumi serb: Kica-Xhelili e denoncon si metodë të Vetëvendosjes
Kandidatja për deputete nga radhët e LDK-së, Doasa Kica-Xhelili, ka reaguar pas publikimit të një artikulli në një medium serb, për të cilin tha se e lavdëronte atë dhe të cilin e kishte shpërndarë një zyrtar i Vetëvendosjes.
Kica-Xhelili, ka thënë se nuk ka nevojë as për lavdata, as për sulme nga Serbia, duke argumentuar se qëndrimet e saj politike maten vetëm me punën për Kosovën dhe me betejën për demokraci.
Në një video-adresim, Kica-Xhelili tha se një medium serb kishte publikuar një artikull me tone lavdëruese për të, i cili ishte shpërndarë më pas nga një përfaqësues i Vetëvendosjes.
“Serbia, kur do me ta shkatërru reputacionin, të lavdon, e kur don me ta ndërtu mitin, të shan. Prandaj, mos u mashtroni”, deklaroi Kica-Xhelili.
Ajo e cilësoi artikullin si pjesë të një metode të vjetër politike të Vetëvendosjes për përlyerjen e kundërshtarëve përmes ndërlidhjes së tyre me Serbinë. Sipas saj, kjo mënyrë e sulmit politik synon të krijojë neveri te qytetarët dhe të dëmtojë reputacionin e kundërshtarëve brenda Kosovës.
“Unë s’kam nevojë për lavdata nga Serbia. As për shamje nga Serbia. E as për certifikata të patriotizmit nga Beogradi”, tha ajo.
“Fatkeqësisht, Vetëvendosje e ka përfeksionu këtë metodë. Nuk ka kundërshtar politik shqiptar të cilin Vetëvendosje nuk është mundu me e cenu e përly përmes Serbisë”, u shpreh më tej Kica-Xhelili.
Ajo tha se, sipas saj, Serbia nuk i forcon figurat politike në Kosovë duke i lavdëruar, por duke i sulmuar, sepse sulmet nga Serbia shpesh përdoren si dëshmi patriotizmi në politikën kosovare.
Në këtë kontekst, Kica-Xhelili përmendi edhe kryeministrin në detyrë Albin Kurti, duke thënë se miti i tij politik është ndërtuar pikërisht mbi këtë logjikë.
Në fund të adresimit, Kica-Xhelili tha se Kosova, ndërkohë, po mbetet e izoluar, e sanksionuar, e përçarë, e dobët në aleanca dhe e lodhur nga krizat.
Ajo u bëri thirrje qytetarëve që të mos bien, siç tha ajo, në lojën e titujve dhe propagandës së Beogradit.
"Por e vërteta është kjo – Serbia, kur do me forcu dikë në Kosovë, nuk e lavdon, e shan, sepse e di që sharja nga Serbia do të ishte medalje patriotizmi. Kështu, fatkeqësisht, është ndërtu edhe miti i Albin Kurtit. Serbia e shan, ai e përdor si dekoratë. Serbia e sulmon, ai e kthen në propagandë.
Ndërkohë, Kosova mbetet e izolume, e sanksionume, e përçamë, e dobët në aleanca dhe e lodhur nga krizat.
Prandaj, mos bini në këtë lojë. Unë as për mirë, as për keq, nuk matem me titujt e Beogradit; matëm me punën për Kosovën, me qëndrimet e mija brenda Kosovës, matëm me betejën time për demokraci."