Eksperti i komunikacionit: Eksperimenti i Përparim Ramës i panevojshëm, ngulfati qytetin
I panevojshëm ka qenë ekspertimenti që bëri Komuna e Prishtinës në fund të javës së kaluar.
Kështu mendon Liridon Sejdiu, i cili është asistent në Departamentin e Komunikacionit në Fakultetin Teknik në Universitetin e Prishtinës.
Ai tha për Nacionalen se për të pasur një eksperiment të mirëfilltë, duhet të ketë statistika për qarkullimin e automjeteve në Prishtinë.
“Një eksperiment i tillë, është i panevojshëm për shkak se rezultati kryesor që ka sjellë ky eksperiment, ka qenë krijimi i tollovisë dhe i ngulfatjes në qendrën e qytetit. Natyrisht se është i rëndësishëm krijimi i unazave në çdo qytet, për shkak se ndimojnë në shkarkimin e qarkullimit të automjeteve në qendër të qytetit”, tha Sejdiu.
Sejdiu gjithashtu shtoi se Komuna e Prishtinës, duhet të vendos numërues automatik në qytet që regjistrojnë lëvizjet e automjeteve.
“Mënyrë e eksperimentit, nuk është thënë të bëhet në terren, kjo mund të bëhet edhe përmes softëareve aplikativ, duke shfrytëzuar teknologjitë e avancuara që bëjnë simulimin e lëvizjes së automjeteve. Duhet të ketë analizë më të thellë”, tha Sejdiu.
Në tri ditët e kalaura, në Prishtinë është bërë testimi i radhës i shndërrimit të gjithë unazës qendrore të kryeqytetit në qarkore njëkahëshe për automjete ka nxitur reagime të shumta.
Kolonat dhe kaosi i krijuar nëpër rrugë, bëri që të drejtohen shumë kritika nga qytetarët dhe opozita ndaj kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama.
Ata e kanë vlerësuar si të gabueshëm veprimin e kryetarit të komunës.
Pjesë e testimit të qarkores njëkahëshe gjatë këtyre ditëve ishin: Rruga “Agim Ramadani”, që nga semaforët pranë mensës së studentëve, e deri te rrethrrotullimi prapa ndërtesës së Komunës; Rruga “UÇK”, nga Parlamenti e deri tek ish-Kino Rinia; Rruga “Migjeni”, deri te ndërtesa e ish-OSBE-së; Rruga “Luan Haradinaj”, deri te semaforët pranë Bankës Qendrore; Rruga “Ukshin Hoti”; Rruga “Robert Doll”.
