Eksperimenti i Përparim Ramës krijon tollovi të madhe në Prishtinë, paralizohet trafiku
Tollovi e madhe është krijuar në shumë rrugë të kryeqytetit mëngjesin e së premtes. Krejt kjo si pasojë e një eksperimenti që Komuna e Prishtinës ka vendosur që ta zbatojë sot. Bëhet fjalë për testimin e radhës për krijimin e një unaze me shumë rrugë qarkore njëkahëshe në qytet.

Komuna e Prishtinës ka njoftuar se nga e premtja, për tri ditë radhazi, do të vazhdojë testimi i radhës i shndërrimit të gjithë unazës qendrore të kryeqytetit.
Komuna bën të ditur se i gjithë procesi do të ndodhë në bashkëpunim të ngushtë me Policinë e Kosovës.
Kjo ka bërë që të shkaktohen kolona e tollovi në rrugët në të cilat po bëhet testimi.
Në shumë rrugë tashmë janë krijuar kolona e tollovi si pasojë e këtij eksperimenti të komunës.
E qarkorja njëkahëshe gjatë këtyre ditëve do të jetë funksionale në drejtim të rrugëve:

– Rruga “Agim Ramadani”, që nga semaforët, pranë mensës së studentëve, e deri te rrethrrotullimi prapa ndërtesës së Komunës
– Rruga “UÇK”, nga Parlamenti e deri te ish-Kino Rinia.
– Rruga “Migjeni”, deri te ndërtesa e ish-OSBE-së
– Rruga “Luan Haradinaj”, deri te semaforët pranë Bankës Qendrore
– Rruga “Ukshin Hoti”
– Rruga “Robert Doll”
I gjithë procesi do të ndodhë në bashkëpunim të ngushtë me Policinë e Kosovës.
E nga Komuna e Prishtinës kanë kërkuar mirëkuptim nga qytetarët sa i përket këtij eksperimenti.
“Ju bëjmë thirrje qytetarëve të Kryeqytetit të kenë durim përgjatë kësaj periudhe provuese të ndryshimit të qarkullimit me automjete, meqenëse qëllimi kryesor i gjithë procesit është zgjidhja afatgjate e lirimit të hapësirave të lëvizjes për këmbësorë sipas rekomandimeve të task forcës rrugore, si dhe lirimi i mbingarkesës së trafikut rrugor”, thuhet në njoftimin e komunës që udhëhiqet nga Përparim Rama.