Ditari i Buzhalës 39: Albin 'skifteri' u bë 'pulë' me ShBA-në - NACIONALE

Ditari i Buzhalës 39: Albin 'skifteri' u bë 'pulë' me ShBA-në

1 vit më parë

nga NACIONALE

Episodi i 39 i Ditarit të Buzhalës, prodhim i Gazetës Nacionale. Si zakonisht, zhvillimet e javës dhe ato që karakterizuan fundjavën që lamë pas u bënë pjesë kryesore e emisionit që po shënon rritje të vazhdueshme shikueshmërie në platformat tona sociale.

Këtë herë, vëmendja kyçe do të jetë te "tërheqja taktike" e Kurtit nga vendimi për targat dhe arsyetimi me atë se është hapur rruga për normalizim të plotë.

Fillimisht, autori Berat Buzhala kujtoi të bëmat e kryeministrit aktual sa ishte në petkun e opozitarit.

Veç kësaj, në një moment ai i propozoi Kurtit që të vazhdojë në këtë mënyrë, pra të bashkëpunojë me ndërkombëtarët, porse njerëzit, gazetarët dhe opinioni ka të drejtë të kthejë në kujtesë deklaratat e së kaluarës.

"Po të ishte Albin Kurti punim shkencor, këtë që e ka bë kohëve të fundit, pra në dhjetë ditët e fundit, dy javët e fundit, nuk do të kalonte. Do të konsiderohej plagjiaturë, do t'i thonin Rron Gjinovci me shokë, ja këtu e ke imitu Thaçin komplet. Pra, krejt veprimtaria e dy-tri javëve të fundit nuk është asgjë e re për ne, e kemi edhe më herët. Pra, është një imitim i dobët i klasës së kaluar politike, por ndoshta e thënë pak me më shumë elokuencë", tha fillimisht ai.

Në anën tjetër, gazetari tha se nga këndvështrimi i tij, sa herë që Kurti tentojë të gënjejë, ose edhe mashtrojë, gjuha e trupit të tij tregon gjithçka dhe ia nxjerr në pah realitetin, pra këtu e dëshmon se shefi i ekzekutivit e ka të pamundur të fshihet.

"Edhe pse unë e kam njëfarë përshtypje, kur mashtron edhe kur gënjen e ka një "body language (shq. gjuhë e trupit)" që e tradhton. Pra, a e patë në videon (lëshohet momenti kur Kurti arsyetohet rreth asaj se ambasadori ka më tepër informacione), po lëshohet pak prej lëkure, pra si punim diplome do të ishte plagjiaturë, po të ishte kamion, nuk do të mund të kthehej, kthesa ka qenë aq e madhe, rruga ka qenë aq e ngushtë, e kaluara aq e gjatë, gënjeshtrat konstante 20-vjeçare, ish-blloku".

"E vetmja formë për me parandalu demagogun, populistin, rrencin, mashtruesin, mos m'u bë normë, me qenë përjashtim politikën tonë, mos me qenë rregulli ynë, me qenë përjashtimi ynë, m'i thënë: në rregull është, vazhdoje, por më lë t'i nënvizoj disa gënjeshtra historike që i ke bë edhe disa dëme që i ke bë. Pra, si është e mundur që një person, kryeministri, që i di krejt bazat ushtarake serbe në kufi me Kosovën, që i dinte krejt "migat" e Serbisë, si është e mundur që ministri i punëve të brendshme, jo më larg se tri-katër javë, doli dhe tha: jemi të përgatitur, nuk lëshojmë pe".

Në pjesën e fundit ndërkaq, Buzhala foli edhe rreth çështjeve të tjera, njëra prej të cilave rastisi të jetë nga kultura.

Bëhet fjalë për koncertin e Dua Lipës në Tiranë, koncert ky që elektrizoi kryeqendrën shqiptare e që i dha jehonë të madhe Shqipërisë në të gjitha mediat britanike.

"Përveç koncertit, Dua Lipës Shqipëria ia dha edhe pasaportën. Pastaj te koncerti, krejt mediat britanike, e që kur jemi te mediat britanike është mirë me theksu një gjë. Fakt është: Britania e Madhe i ka diku 60 milionë banorë, ama mediat britanike janë më të lexuarat në botë: BBC, The Guardian, Times, këto janë media që kanë hegjemoni të ndikimit në botë. Dua Lipa doli në ballinat e krejt mediave britanike, me pasaportën e Shqipërisë, zemra më dhimbti me të tregu drejt: "e kemi rrit menzi atë çikë", tha në formë shakaje Buzhala duke përmbyllur kështu pjesën respektive.

Lajme të ngjashme