A e dini se qysh u vendos te rinumëroheshin në fillim veç disa vota?
Zgjedhjet parlamentare të mbajtura më 28 dhjetor 2025 u pasuan nga një proces numërimi që fillimisht kaloi pa vëmendje të shtuar institucionale. Gjatë ditëve të para pas zgjedhjeve, nga 29 dhjetori deri në fillim të janarit 2026, numërimi i votave për kandidatët u zhvillua në Qendrat Komunale të Numërimit, në një kohë kur Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ishte i përqendruar në çështje të tjera politike dhe nuk ushtroi mbikëqyrje të drejtpërdrejtë mbi procesin.
Dyshimet e para nisën të shfaqen në fillim të janarit, konkretisht mes 4 dhe 7 janarit 2026, kur u vunë re mospërputhje të theksuara në votat e kandidatëve brenda të njëjtave lista partiake. Këto dallime, të cilat nuk mund të shpjegoheshin me trendet e zakonshme zgjedhore, çuan në sinjalizime dhe ankesa drejtuar KQZ-së. Më 8 janar 2026, KQZ autorizoi një rinumërim testues në disa vendvotime, i cili konfirmoi se rezultatet e regjistruara nuk përputheshin me fletëvotimet reale.
Pas këtyre gjetjeve, më 10 dhe 13 janar 2026, KQZ mori vendim për zgjerimin e rinumërimit në disa komuna, ndër to edhe Prizrenin.
Anëtarët e KQZ-së, në mbledhjen e 3-të, kanë vendosur për rinumërimin e 914 vendvotimeve vetëm pasi që siç është thënë në njoftimin zyrtar të KQZ-së, Sekretariati i KQZ-së ka bërë shikimin e video-incizimeve të kamerave në vendosura në tavolinat e numërimit në Qendrat Komunale të Numërimit dhe është evidentuar se ka raste të mospërputhjeve të votave për kandidatë.
Rinumërimi që pasoi, i zhvilluar mes 14 dhe 17 janarit, nxori në pah manipulime të rënda gjatë numërimit të votave për kandidatët, përfshirë regjistrime të gabuara, transferim të votave brenda listave partiake dhe ndryshim të paligjshëm të rezultateve. Në Prizren, këto devijime rezultuan në humbje të konsiderueshme votash për disa kandidatë dhe ndryshuan renditjen për mandatet parlamentare.
Zbulimet e rinumërimit çuan edhe në reagimin e organeve të drejtësisë. Më 18 janar 2026, Prokuroria Themelore në Prizren autorizoi Policinë e Kosovës të nisë hetime për manipulim të votave dhe falsifikim të rezultateve zgjedhore, duke e trajtuar këtë rast si një nga dështimet më serioze të kontrollit institucional mbi procesin zgjedhor, ndërsa hetimet pritet të përcaktojnë përgjegjësinë penale për manipulimet e zbuluara.