Zyrtare: Zvicra i fton tre shqiptarë në Botëror, përfshirë Jasharin që ia mori Kosovës
Zvicra e ka bërë të ditur listën prej 26 lojtarëve të ftuar për Kupën e Botës 2022 në Katar, duke e thirrur edhe Ardon Jasharin, mesfushorin premtues që Kosova kishte bërë shumë përpjekje ta merrte.
Natyrisht, pjesë e listës janë edhe të përhershmit Granit Xhaka si kapiten dhe Xherdan Shaqiri, raporton Nacionale.
Andi Zeqiri, i cili e kishte braktisur Kosovën edhe pasi ia kishte dhënë fjalën, duke iu bashkuar Zvicrës përfundiisht, nuk është ftuar për Kupën e Botës nga trajneri Murat Yakin.
Unsere 26 Spieler für die WM
— 🇨🇭 Nati (@nati_sfv_asf) November 9, 2022
Nos 26 joueurs pour la Coupe du Monde
I nostri 26 giocatori per il Mondiale
Noss 26 giuveders per la WM@FIFAWorldCup #squad #aufgebot #sélection #convocazione#natimiteuch #lanatiavecvous #lanaticonvoi pic.twitter.com/hqja5jsKvw
Zvicra është në një grup shumë të vështirë në këtë Botëror, apo siç njihet grupin e vdekjes, bashkë me favoritin Brazilin, Serbinë dhe Kamerunin.
Po ashtu, ky do të jetë Botërori i dytë radhazi, pas atij Rusia 2018, që Zvicra do të luajë në një grup me Serbinë.
Xherdan Shaqiri dhe Granit Xhaka - futbollistët me prejardhje nga Kosova – shkaktuan kaos dhe polemika të mëdha kur i festuan golat duke e bërë shqiponjën dykrenore në fitoren e Zvicrës 2:1 kundër Serbisë në Kupën e Botës 2018 në Rusi.
Kombëtarja helvetike do të përballet me Serbinë më 2 dhjetor, por asgjë e ngjashme nuk pritet të ndodhë në atë ndeshje, edhe nëse Xhaka apo Shaqiri shënojnë sërish.
Ata kanë kërkuar falje për kaosin e shkaktuar me festimin e tyre dhe janë zotuar se nuk do ta përsërisin atë.
Thirrja e Ardon Jasharit
Ardon Jashari i Luzernit është vetëm njëri prej dy 20-vjeçarëve që i ka ftuar trajneri Murat Yakin për këtë Botëror, bashkë me Fabian Rieder.
Jashari është njëri nga futbollistët e tjerë të talentuar që Kosova kishte bërë përpjekje ta bindte për ta përfaqësuar Kombëtaren e atdheut të prindërve.
Megjithatë, ai mori ftesë nga Zvicra në shtator dhe debutoi zyrtarisht për Kombëtaren helvetike dhe tani është pjesë edhe e skuadrës së Kupës së Botës.
Drejtori i Kosovës, Muharrem Sahiti tha për Nacionalen në shtator se FFK-ja ishte takuar me Jasharin për të biseduar për ardhjen e tij te Kosova.
“Po, ne kemi biseduar me Ardon Jasharin. Nuk kanë qenë vetëm kontakte, por ka pasur edhe takim fizik mes tij dhe menaxherit tonë (Bajram Shalës). Sinjalet e para ishin mjaftë pozitive, por tani e pamë që ka pranuar ftesën e Zvicrës. Çfarë të bëjmë na”, kishte thënë Sahiti.