Zyrtare: Primozh Gliha trajner i ri i Kosovës
Primozh Gliha është emëruar trajner i ri i Kombëtares së Kosovës deri në përfundim të ndeshjeve kualifikuese për Kampionatin Evropian 2024, njoftoi të martën Federata e Futbollit e Kosovës.
Gliha, 55 vjeç, do ta drejtojë Kosovën në gjashtë ndeshje të mbetura në Grupin I kualifikues për Euro 2024 dhe vjen pas shkarkimit të Alain Giresse.
Ai ishte trajner i përkohshëm i Kosovës edhe pas shkarkimit të Bernard Challandes në fund të vitit 2021.
"Në këtë mbledhje ndër çështjet kryesore që u diskutuan ishte zgjedhja e ekipit të trajnerëve që do ta drejtojnë Kombëtaren e Kosovës në ndeshjet e mbetura të ciklit kualifikues për Euro 2024. Kësisoj, pas diskutimeve të arsyeshme, KE i FFK-së vendosi që në krye të shtabit teknik të emërohet Primozh Gliha, derisa atij do t’i ndihmojnë Afrim Tovërlani, Arbnor Morina, Ahmet Beselica dhe Thomas Richards", thuhet në njoftimin e FFK-së.
Ndihmës të tij janë zgjedhur Afrim Tovërlani, i cili është trajner i Kosovës U21, Arbnor Morina që e udhëheq Kosovën U17, si dhe Ahmet Beselica e Thomas Richards. Ata do t'i mbajnë postet e tyre në ekipet kombëtare të të rinjve njëkohësisht.
Kosova pritej ta merrte një trajner më nam, posaçërisht pas dështimit të francezit Giresse dhe detyrimit të FFK-së për ta shkarkuar si pasojë.
Prandaj kthimi i sllovenit me shumë pak përvojë në krye të ekipit kombëtar, megjithëse përkohësisht, është befasues.
Kosova është pothuasje pa gjasa për t'u kualifikuar në turneun e verës së ardhshme në Gjermani, pasi dështoi të fitojë në katër ndeshjet e para në Grupin I kualifikues, duke pësuar një humbje dhe duke barazuar tri herë nën drejtimin e Giresse.
Si pasojë, dardanët kanë rënë në vendin e parafundit në Grupin I, me vetëm tri pikë, duke ngelur shtatë pikë larg lideres Zvicra, pesë pikë larg Rumanisë dhe katër pikë larg Izraelit.
Shpresohej se FFK-ja do ta emëronte një trajner i cili do t'i përdorte ndeshjet e mbetur në kualifikime për ta ndërtuar një ekip konkurrues për kualifikimet e ardhshme për Botëror dhe Evropian.
Por në fund të vitit ajo do të detyrohet të gjejë trajner të ri të përhershëm për t'ia filluar nga zero.