Zyrtare: Pep Guardiola e vazhdon marrëveshjen me Manchester City
Pep Guardiola e ka vazhduar marrëveshjen me Manchester City, e cila do ta mbajë atë në Etihad deri në vitin 2025.
Kampioni i Premierligës City njoftoi të mërkurën se ia ka vazhduar marrëveshjen trajnerit të vet Pep Guardiola për edhe dy sezone të tjera.
“Manchester City me kënaqësi njofton se Pep Guardiola ka nënshkruar kontratë të re dyvjeçare. Kjo marrëveshje nënkupton se ai do të qëndrojë në Etihad deri në verën e vitit 2025”, thuhet në njoftimin e City
The Journey Continues…
— Manchester City (@ManCity) November 23, 2022
We’re delighted to announce @PepTeam has signed a new two-year contract ✍️ #ManCity pic.twitter.com/FI41S0j5OH
Marrëveshja e deritanishme e trajnerit spanjoll me Cityn do të kishte skaduar në fund të këtij sezoni.
Pasi e vazhdoi qëndrimin në Etihad, Guardiola tha: “Ky është vetëm një konfirmim se sa rehatshëm po ndihemi ne, klubi dhe unë, përsëri, sikur të nënshkruanim në fillim. Nuk mund t’i falënderoj mjaftueshëm të gjithë në klub për besimin në mua, për mundësinë që ma kanë dhënë për ta bërë punën time sa më mirë”.
“Nëse nuk ndihemi rehatshëm me ekipin, me klubin, nuk ka kuptim. Ne kishim kujtime të jashtëzakonshme, të bukura së bashku dhe ende ëndërrojmë të arrijmë më shumë. E di çfarë dëshiron klubi. Do të luftoj për këtë me lojtarët dhe stafin tonë për ta bërë më të mirën e mundshme për klubin”, shtoi ai.
51-vjeçari është trajneri i dytë më jetëgjatë në detyrë në Premierligë, pas Jurgen Kloppit të Liverpoolit tani për tani dhe i pesti që ka mbajtur pozitën më së gjati në historinë e futbollit anglez.
Guardiola iu bashkua Manchester City në vitin 2016, pas tri viteve qëndrimi në Bayern Munich, ku e fitoi Bundesligën tri herë dhe kupën e Gjermanisë dy herë.
Fitimin e trofeve ai e vazhdoi edhe gjatë gjashtë viteve në Angli. City i ka fituar katër tituj në Premierligë me të si trajner, si dhe një herë FA Cup, katër herë Carbao Cup dhe dy herë Community Shield.