Zidane: Thonë se largimi i Ronaldos e ka ndryshuar Benzeman, por unë nuk e besoj - NACIONALE

Zidane: Thonë se largimi i Ronaldos e ka ndryshuar Benzeman, por unë nuk e besoj

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Zinedine Zidane ka shkruar një editorial të gjatë për të përditshmen franceze “L’Equipe” pas triumfit të Karim Benzema si fitues i Topit të Artë për vitin 2022. Ai ka komentuar edhe ndikimin që thuhet të ketë pasur largimi i Cristiano Ronaldos te sulmuesi francez.

Si ish-trajner dhe lojtar i Real Madrid, Zinedine Zidane ka kaluar në shumë sfida. Ai në vitin 1998 kishte fituar Topin e Artë.

Trajneri francez ka shkruar një editorial për të përditshmen “L’Equipe”, ku ka komentuar më detajisht dhënien e çmimit më të madh në nivel individual për futbollistët.

Njëra ndër gjërat që është përmendur shumë gjithandej gjatë këtyre ditëve është impakti i madh që ka pasur te Benzema largimi i Ronaldos nga Real Madrid, pasi i ka dhënë më shumë liri.

Megjithatë, Zidane nuk pajtohet me këtë tezë: “Thonë se largimi i Ronaldos e ka ndryshuar Benzeman, por unë nuk e besoj. Kur ishte Cristiano Ronaldo në skuadër, gjithashtu Benzema ishte shumë i mirë. Shënonte gola dhe i dhuronte asiste atij. Në rastin më të mirë të mundshëm ka fituar më shumë besim te vetja. Ta zëmë, është bërë baba. Jeta e tij është plotësuar dhe kjo vërehet në fushë.”

Elaborimi i Zidane se përse Benzema e meritoi Topin e Artë

Tiparet karakteriale dhe të lidershipit të Benzemas janë të shumta sipas trajnerit të mirënjohur: “Përçon besim. Ai është një lider që flet pak, por thotë gjërat e duhura. Diskutimet tona rreth lojës kanë qenë gjithmonë interesante. Ndajmë konceptin e njëjtë rreth futbollit. Gjëja që të bën për vete më së shumti te Benzema dhe te lojtarët tjerë të kalibrit të tij është kapaciteti për ta mbajtur qetësinë sa më shumë që ndeshjet bëhen të rëndësishme dhe shkohet sa më lart në kompeticione.”

Ylli 35-vjeçar shpesh është lavdëruar nga të tjerët për shkak të teknikës së lartë që posedon, duke shërbyer edhe bashkëlojtarët tjerë me pasime të mrekullueshme, pa treguar gjithmonë doza egocentrizmi.

“Kur isha trajneri i tij e kam parë duke shënuar gol nga çdo pozitë dhe çdo mënyrë: me kokë, me këmbën majtë apo të djathtën. Dhe, ia pata thënë që një ditë do ta fitonte këtë çmim nëse nuk do të dorëzohej. Ai e meriton këtë Top të Artë. Nuk do të kisha mundur ta ëndërroja një pasardhës më të mirë. Në Francë jemi shumë pak që kemi mundur ta fitojmë këtë çmim (Zidane, Kopa, Platini dhe Papin) dhe tani Benzema hyn në këtë rreth”, ka përfunduar Zinedine Zidane.

Lajme të ngjashme