Karim Benzema fiton Topin e Artë për vitin 2022
Sulmuesi i Real Madridit, Karim Benzema ashtu siç pritej ka fituar Topin e Artë për vitin 2022.
Pasi fitoi çmimin e lojtarit më të mirë në botë nga UEFA, francezi tani ka fituar edhe çmimin më prestigjiozë në botë, Topin e Artë.
Në natën e sotme në Paris, në prani të shumë yjeve e legjendave të futbollit, Benzema mori epitetin e më të mirit në botë për vitin 2022 pas një super edicioni me Real Madridin.
Në këtë ceremoni u dhanë edhe çmime të tjera, si Alexa Putellas që e fitoi Topin e Artë në kategorinë e femrave, “Kopa Trophy” që e fitoi Gavi, “Yachine Trophy” u fitua nga Thibaut Courtois dhe “Muller Trophy” nga Robert Lewandowski.
KARIM BENZEMA IS THE 2022 BALLON D’OR! ✨@Benzema@realmadrid#ballondor pic.twitter.com/TXLkHJIhJM
— Ballon d'Or #ballondor (@francefootball) October 17, 2022
Pas Benzemas, Sadio Mane u rendit i dyti, derisa Kevin de Bruyne përfundoi si pozitë e tretë dhe Robert Lewandowski e mbylli në vendin e katërt.
Edicioni i mahnitshëm me Real Madridin dhe lojtari kyç për “Galaktikët” pas largimit të CR7
Padyshim, Karim Benzema ka pasur paraqitje mbresëlënëse që kur golashënuesi më i mirë në historinë e Realit, Cristiano Ronaldo u largua në vitin 2018 për t’iu bashkuar Juventusit.
Francezi doli të jetë pasuesi adekuat i portugezit, duke ndihmuar klubin që vitin e kaluar të fitojnë La Liga-n, Ligën e Kampionëve, Superkupën e Spanjës, duke ndjekur këtë edicion që fituan Superkupën e UEFA-s.
Brenda 46 paraqitjeve në të gjitha garat, Benzema arriti të kontribuojë me 44 gola dhe 15 asistime.
Jo vetëm vitin e kaluar, francezi tregoi klasin edhe gjatë edicionit 2020/21, ku zhvilloi 46 paraqitje në të gjitha garat duke gjetur 30 herë rrjetën dhe asistuar nëntë herë në përgjithësi.
Forma e lartë e francezit është duke vazhduar edhe këtë sezon, pasi që deri me tani veçse ka shënuar pesë gola dhe dhuruar një asistim në 10 paraqitje në të gjitha garat.
Përndryshe, ai brenda ditëve të ardhshme edhe do ta rinovojë kontratën me Real Madridin, ku do të nënshkruajë edhe për një tjetër vit.