Ylli i Premierligës pensionohet në moshën 24-vjeçare shkaku i zemrës
Futbollisti i Brightonit, Enock Mwepu, është detyruar të pensionohet pasi është diagnostikuar me një problem trashëgues të zemrës.
Mesfushori 24-vjeçar ishte ndier keq gjatë fluturimit për t’iu bashkuar Kombëtares së Zambisë për ndeshjet e shtatorit. Ai e kaloi një kohë në spitalin e Malit dhe iu nënshtruar testeve shtesë të zemrës pasi u kthye në Brighton.
Mjekët erdhën në përfundim se Mwepu përballet me një problem trashëgues në zemër i cili shfaqet më vonë gjatë jetës.

Në një njoftim për media, klubi i tij Brighton tha: “Problemi i tij, i cili u përkeqësua me kalimin e kohës, do ta kishte vënë Enockun në rrezik tejet të lartë për të pësuar sulm fatal, nëse ai do të vazhdonte të luante futboll garues”.
Ndërkohë, presidenti i Brightonit Tony Bloom tha se vjen keq që një karrierë kaq premtues u ndërpre në gjysmë.
“Të gjithë jemi shumë të mërzitur për Enockun. Ai dhe familja e tij patën disa javë tronditëse dhe derisa ne jemi mirënjohës që ai e tejkaloi atë periudhë, karriera e tij kaq premtuese u ndërpre në moshë kaq të re”, tha Bloom.
“Klubi do t’i ofrojë atë gjithë dashurinë, ndihmën dhe përkrahjen e mundshme për ta rimarrë veten plotësisht dhe ai pastaj do të vendosë për hapin e radhës në jetë”, shtoi ai.

Trajneri Roberto De Zerbi tha se Mwepu ishte lojtari tek i cili i kishte sytë kur iu bashkua klubit dhe se i vjen keq për fatkeqësinë e tij.
“Më vjen shumë keq për Enockun. Para se të vija këtu, e shikova të gjithë skuadrën dhe ai ishte një lojtar me të cilin mezi prisja të punoja. Do të bëjmë gjithçka për ta ndihmuar atë”, nënvizoi ai.
Shefi i Brightonit për mjekësi dhe paraqitje, Adam Brett, shpjegoi: “Kjo është një goditje e tmerrshme për Enock, por ai duhet të mendoj për shëndetin dhe familjen së pari dhe kjo është zgjedhja e tij e duhur, pavarësisht se sa të vështirë e kishte të heqë dorë nga loja që e dashuron”.