Xavi: Nëse s’e zëvendësojmë Busquets nuk mund të garojmë për tituj vitin tjetër
Trajneri i Barcelonës, Xavi Hernandez thotë se duhet ta zëvendësojnë me patjetër Sergio Busquets për të garuar për tituj edhe vitin tjetër.
Si Busquets, ashtu edhe Jordi Alba do të përshëndeten me katalunasit në fundin e sezonit për të provuar ndonjë aventurë tjetër para se të pensionohen.
Në konferencë për shtyp, Xavi theksoi se ka qenë shumë vështirë të menaxhojë ish bashkëlojtarët, sidomos në rastet që i la në stol apo të jap lejen që të largohen, si rasti i Pique dhe Alves.
“Një nga gjërat më të vështira ka qenë të menaxhosh miqtë, të marrësh vendime se nuk do të luajmë... në fund jam trajner i Barcelonës dhe duhet të marrë vendime, disa herë edhe ato të dhimbshmet. Më ndodhi me Pique, Alves”.
“Pozita e trajnerit është mbi të gjitha. E kam prioritet skuadrën, klubin dhe duhet të jem profesional. Nuk ishte vendim personal, ishte i grupit”.
I pyetur për Busquets, tekniku spanjoll nënvizoi se duhet me patjetër të gjejnë sa më parë pasuesin adekuat.
“Duhet të gjejmë zëvendësuesin. Nëse duam të garojmë vitin tjetër, duhet ta gjejmë pjesën e mbetur. Është çelësi për të garuar vitin tjetër”.
“Po Busquets duhet të zëvendësohet. Më kujtohen Samper, Romero, Toure... Fati që kishim është se Busquets s’ka qenë asnjëherë i lënduar. Nga 50 ndeshje ka luajtur 45 ose 46. Tani nuk kemi zëvendësuesin në shtëpi dhe duhet të shikojmë jashtë”.
Ai tutje falënderoi edhe Jordi Alban për punën duke thënë se ka qenë vendimi i lojtarit që të largohet.
“Ai vendosi të largohet, më tha se çfarë besonte se ishte më mirë për momentin dhe që koha e tij ka ardhur. Ai ka qenë pozitiv, na ka ndihmuar gjatë tërë kohës edhe kur nuk ishte në fushë”.
Xavi nuk hezitoi të komentonte edhe situatën e Jules Kounde, për të cilin thuhet se është i pakënaqur te Barcelona. Mirëpo, trajneri katalunas deklaroi se nuk ka asnjë problem.
“E kam thënë se nuk ka probleme me Kounde, pavarësisht çfarë them ju vazhdoni të shkruani se ka problem dhe do të vazhdoni. Nuk ka asnjë problem. Kemi pasur një bisedë të shëndetshme”.

