Vojvoda nuk ia del të rikuperohet me kohë, humb tri ndeshjet e para të kampionatit - NACIONALE

Vojvoda nuk ia del të rikuperohet me kohë, humb tri ndeshjet e para të kampionatit

1 vit më parë

nga NACIONALE

Mërgim Vojvodës nuk i ka prirë fati. Ai është lënduar dy javë para fillimit të kampionatit. Edhe pse parashihej një rikuperim më i shpejtë, një gjë e tillë nuk pritet të ndodhë sipas informatave të fundit.

Mbrojtësi kosovar, Vojvoda, ka para vetes një sezon të radhës në Serie A që do ta zhvillojë. Sidoqoftë, sezoni i ri nuk do të nisë në mënyrën më të mirë të mundshme për të, pasi lëndimi i ka shkaktuar mungesë në ndeshjet e fundit miqësore në fazën parapërgatitore.

Për Ivan Juric, Vojvoda mbetet një aset i çmuar në skuadër, falë faktit që është polivalent dhe se ka treguar që mund të luajë në të dy krahët e mbrojtjes.

Për shkak të vazhdimësisë në paraqitje të mira, Vojvoda është parë si një lojtar që i ka kryer shumë punë Torinos në krahun e majtë të mbrojtjes, aty ku nuk gjenin assesi rehati në sezonet e fundit - qoftë me Aina, Rodriguez apo Ansaldin.

Vojvoda do t'i humbë tri ndeshjet e kampionatit

Fillimisht, kur u lëndua Vojvoda besohej që do të mungonte vetëm dy javë. Sidoqoftë, kohëzgjatja e rikuperimit duket më e madhe.

Mbrojtësi 27-vjeçar sipas asaj që raporton e përditshmja italiane e afërt me Torinon, Tuttosport, nuk do të jetë në gatishmëri të skuadrës deri në fund të muajit gusht.

Kjo do të thotë që ai do t'i humbë plot tri ndeshje të kampionatit. Një pikënisje jo prej më të mirave të dëshiruara, duke e kushtëzuar atë që të qëndrojë jashtë fushës së blertë, pa mundur që ta marrë formën fizike të duhur.

I gatshëm për Kosovën

Sidoqoftë, kjo kohëzgjatje e lëndimit të tij nuk do ta privojë atë nga mungesa në grumbullimin me Kombëtaren e Kosovës, që do të zhvillohet në fund të muajit shtator, atëherë kur është e paraparë edhe pauza e kombëtareve. Kujtojmë se Kosova do t'i luajë dy ndeshjet e fundit në kuadër të Ligës së Kombeve, kundër Irlandës Veriore në udhëtim dhe Qipros në "Fadil Vokrri".

Përkundër insistimit që kishte treguar, Vojvoda nuk ia pati dalë që të mbeste pjesë e kampit dardan gjatë qershorit, meqë lëndimi i pësuar në gjysmën e muajit maj në "Bentegodi", ishte akoma shumë i freskët.

Për Kosovën mungesa e tij ishte e madhe, pasi marrë parasysh faktin që në sezonin e fundit me Torinon ai po luan në krahun e majtë, bën që edhe "Dardanët" të llogarisin në një opsion më shumë në një pozitë ku alternativat janë shumë të mangëta qëkur Paqarada ka krisur raportet me Federatën e Futbollit të Kosovës dhe nuk është ftuar më.

Lajme të ngjashme