Vetëm tre minuta zgjati konferenca e Kombëtares së Kosovës, Trajneri Gliha dhe sulmuesi Rrahmani thonë se do ta kenë të vështirë fitoren ndaj Andorrës - NACIONALE

Vetëm tre minuta zgjati konferenca e Kombëtares së Kosovës, Trajneri Gliha dhe sulmuesi Rrahmani thonë se do ta kenë të vështirë fitoren ndaj Andorrës

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Kombëtarja e Kosovës nesër zhvillon ndeshjen e radhës në kuadër të kualifikimeve për Euro 2024 ndaj Andorrës, ku synimi i vetëm është fitorja. Megjithatë, trajneri Primoz Gliha dhe sulmuesi Albion Rrahmani, në një konferencë të shkurtër treguan që nuk do të jetë aspak lehtë që të kthehen me pikë të plota në Kosovë.

Dardanët kanë pasur një kampanjë të tmerrshme kualifikuese, ku në fillim shpresohej për një vend në Evropian, ndërsa tani gjenden në vendin e katërt me vetëm katër pikë të grumbulluara në gjashtë ndeshje të zhvilluara, duke mos arritur asnjë fitore deri më tani.

Trajneri Gliha ndonëse nuk e përmendi që synojnë vetëm fitoren, ka thënë se Kombëtarja e Kosovës do të jetë e gatshme për ndeshjen.

Kosovan Football 🇽🇰 on X: "OFFICIAL – Primoz Gliha is the new head coach of #Kosova National Football Team." / X

“Luajmë me Andorrën që është një ekip shumë i fortë. Gjatë karrierës sime si trajner në ekipe të ndryshme kam luajtur disa herë kundër Andorrës dhe nuk ka qenë aspak lehtë. Është shumë vështirë të luhet ndaj Andorrës për shkak të mentalitetit të fortë të futbollistëve që posedon dhe kjo mund të na komplikojë gjërat. Por, sido që të jetë, ne do të jemi të gatshëm për këtë ndeshje dhe do të shohim se si do të shkojë takimi”, tha ai sot në konferencë për shtyp.

Kosova do të ketë mungesa të shumta për ndeshjen e nesërme. Kapiteni Amir Rrahmani mungon si shkak i lëndimit, e të lënduar janë edhe Ismajl Beka, Leart Paqarada e Shkëlqim Vladi, që gjithashtu mungojnë. Në dyshime mbetet Edon Zhegrova, i cili nuk ka udhëtuar në Andorra për shkak të një shqetësimi dhe ende nuk është konfirmuar mungesa e tij.

Vedat Muriqi mori karton të kuq në ndeshjen e fundit të Kosovës, dhe si rrjedhojë sulmuesi i vetëm në dispozicion do të jetë Albion Rrahmani, që është lojtari më në formë momentalisht i ‘Dardanëve’.

Ai ishte i pranishëm në konferencë për shtyp, ku tha se i pret një ndeshje e vështirë, por që ai dhe bashkëlojtarët do të japin maksimumin nga vetja.

“Na pret një ndeshje e vështirë, por ne lojtarët do të japim gjithçka në fushë dhe nëse e bëjmë këtë, atëherë do të marrim edhe fitoren. Do të mundohem ta ndihmoj ekipin të arrij objektivin që ka, për ta fituar ndeshjen. Kjo fitore do të jetë e rëndësishme për të filluar një cikël të ri me rezultate pozitive dhe shpresoj ta arrijmë këtë”.

Kosova nesër përballet me Andorrën në udhëtim, në kërkim të fitores së parë, me përballjen që fillon në ora 20:45.

Lajme të ngjashme