Verona u ankua se nuk iu akordua një penallti klasike ndaj Juventusit, ja pse gjyqtarët morën këtë vendim - NACIONALE

Verona u ankua se nuk iu akordua një penallti klasike ndaj Juventusit, ja pse gjyqtarët morën këtë vendim

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Juventusi fitoi 1:0 në udhëtim ndaj Veronas sfidën e sotme, por një jehonë të madhe zgjoi një episod në fund të ndeshjes, kur vendësit kërkuan akordimin e një penallti. Kanë filluar të publikohet arsyet e këtij vendimi të marrë.

VAR-i e shqyrtoi nëse ishin kushtet për të akorduar penallti në favor të Veronas në minutën e 76-të të ndeshjes, kur rezultati ishte 0:1 në të mirë të Juventusit. Danilo e kishte dorën e zgjatur në goditjen e Velosos.

Megjithatë, gjyqtari kryesor i ndeshjes, Di Bello, pasi pa vetë të gjithë rrjedhën e aksionit vendosi që të lejonte zhvillimin e lojës, pa i kënaqur kërkesat e nikoqirëve.

Ky vendim acaroi shumë trajnerin e Veronas, Bocchetti, dhe të gjithë kontingjentin e lojtarëve të ekipit nga Veneto, që kërkonin me ngulm një vendim tjetër nga gjyqtari i ndeshjes.

Ja pse nuk u akordua penalltia

Shtypi italian, në bazë të interpretimit të rregullores, ka dhënë një sqarim se përse është marrë një vendim i tillë. Ish-gjyqtari italian, Calvarese, u mundua që ta arsyetojë vendimin e marrë nga gjyqtarët e sotëm të ndeshjes.

Të gjithë janë të mendimit se arsyetimi i këtij vendimi është i vështirë kur dihet se dora e mbrojtësit brazilian ishte e hapur. Megjithatë, ekziston një arsyetim që mund të duket i përligjshëm ose jo.

Në bazë të interpretimit që po bëhet duke u bazuar në rregullore, Danilo nuk e ka prekur topin për ta parandaluar topin që të shkonte drejt portës, por i njëjti ka arritur në dorën e tij vetëm pasi është devijuar nga një lojtar i Veronas.

Pra, përfaqësuesi brazilian papritmas ka hasur në një pozitë të atillë saqë ka prekur topin me dorë në formë të pavullnetshme.

Penallti do të ishte nëse nuk do të kishte asnjë devijim dhe topi i drejtuar në portë do të pengohej me një prekje me duar.

Për disa çaste ndeshja ishte pezull, pasi gjyqtari shkoi vetë për ta parë në ekranin e VAR-it të gjithë rrjedhën e aksionit.

Duhet theksuar që edhe Juventusi ishte ankuar për vendimet e gjyqtarëve në ndeshjet pasuese. Rasti më eklatant sipas klubit torinez ishte ai i në ndeshjen kundër Salernitanas para disa javësh, kur u gjykua si pozitë jashtë loje një gol që në medie u raportua të kishte qenë i rregullt.

Pra, goli që shënonte Milik në frymën e fundit të ndeshjes për 3:2 ndaj Salernitanas nuk u vlerësua si i tillë nga gjyqtarët në fjalë.

Sido që të jetë, ankesat drejt gjyqtarëve nuk po pushojnë në Serie A në këtë sezon edhe nga klubet tjera. Lazio, Roma dhe Milan gjithashtu kanë pasur pakënaqësi për disa ndeshje ku mendojnë se ndarja e drejtësisë nuk ka qenë në stadin më profesional të mundshëm.

Lajme të ngjashme