Vedat Muriqi përmes një videoje konfirmon klubin e ri
Ylli i Kombëtares së Kosovës, Vedat Muriqi me postimin e fundit në rrjetin social "Instagram", mund të thuhet se ka konfirmuar kalimin përfundimisht te klubi i madh spanjoll Mallorca.
Pasi dështoi kalimi te gjiganti belg, Club Brugge - sulmuesi tani do t'i bashkohet Mallorcas, aty ku qëndroi për gjashtë muajt e fundit huazim nga Lazio.
Lazio dhe Mallorca raportohen se kanë arritur marrëveshje për 10 milionë euro, derisa Muriqi do të nënshkruajë për pesë vitet e ardhshme.
Këtë transferim mund të thuhet se e ka konfirmuar edhe vetë lojtari, duke postuar në "Instastory" momentin kur e fshin atë "letër të lamtumirës" që i kishte bërë klubit muajin e kaluar.
Vedat Muriqi acaba de borrar de IG la carta de despedida que publicó al “irse” del @RCD_Mallorca.
— Alberto Cercós (@albertocercos) July 21, 2022
🏴☠️❤️ pic.twitter.com/hcqQJrwytx
Përpos kësaj, Muriqi rikthimin te Mallorca e ka konfirmuar edhe në "bio", ku ka shkruar "Lojtar profesionist i futbollit te RCD Mallorca".

Muriqi sot kryen testet mjekësore, zyrtarimi me gjasë brenda javës
Sa i përket testeve mjekësore, ylli i Kosovës gjatë ditës së enjte do t'iu nënshtrohet atyre.
Qendërsulmuesi në orët në vijim më gjasë do t'i përfundojë këto teste mjekësore, derisa brenda javës edhe mund të zyrtarizohet si përforcimi më i fundit i Mallorcas.
Ishte gazetari i njohur italian, Gianluca di Marzio që dje bëri me ditur se 28-vjeçari do t’iu nënshtrohet testeve e pastaj do të bëhet zyrtare në ditët në vijim.
Dështimi në testet mjekësore te Club Brugge, si dështoi kalimi në Belgjikë
Një përvojë jo e mirë i ndodhir Muriqit para disa javëve, ku pasi pranoi t'i bashkohet Club Brugge, nuk arriti t'i kryejë me sukses testet mjekësore.
Drejtori i Lazios, Igli Tare për Nacionalen kishte konfirmuar se ishte arritur një marrëveshje mes klubit italian dhe atij belg për shërbimet e Muriqit për 11 milionë euro.
Por, në ditën kur kreu testet mjekësore, Club Brugge mbeti jo i kënaqur me lojtarin, duke thënë se do t'iu duhen disa javë që të shërohet dhe të jetë 100 për qind fizikisht, prandaj marrëveshja nuk u realizua.
Nga ana tjetër, Muriqi i kreu me sukses testet mjekësore te Lazio, gjë që ndikoi që klubi nga Roma ta padis Club Brugge në FIFA.
Shkëlqimi i Muriqit te Mallorca gjatë edicionit të kaluar, "heroi" që e shpëtoi klubin spanjoll nga rënia
Nëse flasim për Mallorcan, padyshim kosovari aty është tejet i dashur, jo vetëm brenda klubit por edhe tek tifozët.
Për vetëm gjashtë muaj sa ishte pjesë e Mallorcas, Muriqi ishte ndër më meritorët që i ndihmoi skuadrës spanjolle të qëndrojë në La Liga.
Me pesë gola dhe tre asistime në 16 paraqitje, qendërsulmuesi kontribuoi shumë që Mallorca të vazhdojë qëndrimin në eliten e futbollit spanjoll, sidomos me golin e tij që ishte vendimtar në fitoren ndaj Atletico Madridit.
Por, nga ana tjetër edhe tifozët kanë shprehur dashuri të madhe për lojtarin, e kjo vërehet më së miri në stadium, ku shihen plot foto të Muriqit me kapelën e “piratit”.


