E konfirmojnë nga Sky Sport Italia: Lazio pritet ta padisë Club Bruggen në FIFA për Vedat Muriqin
Lazio nuk e ka ndërmend të pajtohet me gjithë tollovinë që ka shkaktuar Club Brugge, duke hequr përkohësisht dorë nga transferimi i Vedat Muriqit.
Dita e shtunë prodhoi një tollovi të madhe. Një ditë më parë, sulmuesi kosovar Vedat Muriqi, kishte udhëtuar drejt Belgjikës për t'i kryer testet mjekësore. E shtuna pritej të ishte një ditë formale, kur do të kompletoheshin testet mjekësore, të cilat do t'i parapranin nënshkrimit të kontratës dhe zgjidhjes së çështjeve tjera burokratike.
Sidoqoftë, skenari shkoi më ndryshe. Club Brugge nuk u nda aspak i kënaqur me testet mjekësore që kreu Vedat Muriqi. Me këtë rast, ata i kërkuan Lazios që ta bënte një zbritje në çmim, nga 11 milionë euro që ishin dakorduar fillimisht. Kjo ka rrebeluar tej mase drejtuesit e Lazios.
Vetë drejtori i Lazios, Igli Tare, pak ditë më parë, ekskluzivisht për Gazetën Nacionale kishte konfirmuar që gjithçka ishte e kryer dhe se për 11 milionë euro Muriqi do të transferohej në Club Brugge.
Ndërlikimi i situatës pas testeve mjekësore të së shtunës prodhoi një skenar të ri. Lazio e ka ftuar gjatë ditës së djeshme Vedat Muriqin, që së bashku me lojtarët tjerë, t'u nënshtrohet testeve mjekësore. Për klubin italian gjendja fizike e Vedat Muriqit është stabile dhe nuk është evidentuar asnjë problem.
Për këtë arsye, Lazio raportohet se është bërë gati që ta kontestojë mungesën e blerjes të Vedat Muriqit nga Club Brugge, pasi palët paraprakisht kishin rënë dakord për gjithçka.
Një gjë të tilë e ka konfirmuar edhe vetë eksperti i transferimit të lojtarëve në Sky Sport Italia, Luca Marchetti, i cili njëherit është edhe bashkëpunëtori kryesor i Gianluca Di Marzios.
"Po, absolutisht që po. Mund të ndodhë padia në FIFA nga Lazio për Club Bruggen për rastin e Vedat Muriqit. Pikërisht për këtë arsye, ai bëri testet mjekësore me Lazion, për ta dëshmuar se nuk kishte ndonjë problem klinik", tha mes tjerash Marchetti.
Sipas medieve italiane, gjatë orëve në vazhdim Lazio do të mundohet ta bindë Club Bruggen që t'ia mundësojë edhe një herë zhvillimin e testeve mjekësore, në mënyrë që ta çojë deri në fund marrëveshjen e arritur mes klubeve gjatë javës së kaluar.


