Vedat Muriqi nesër do t'u nënshtrohet testeve mjekësore me Mallorcan - NACIONALE

Vedat Muriqi nesër do t'u nënshtrohet testeve mjekësore me Mallorcan

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Sulmuesi kosovar, Vedat Muriqi, është shumë pranë që t'i ribashkohet Mallorcas. Ndryshe nga hera e parë, kësa radhe klubi spanjoll ka vendosur që ta blejë kartonin e tij.

Sipas gazetarit italian, Gianluca Di Marzio, Muriqi nesër do të arrijë në Mallorca, ku do t'u nënshtrohet testeve mjekësore.

Kësisoj, do të përmbushet edhe dëshira e dyanshme, si ajo e klubit jugor spanjoll, ashtu edhe e vetë Muriqit, që bashkëpunimin ta vazhdojnë edhe mëtutje.

Para se të vendosën nënshkrimet mbi kontratë, do të pritet verdikti i testeve mjekësore. Gjatë kësaj jave pritet që sulmuesi kosovar të prezantohet si përforcim i ri i Mallorcas.

Oferta e pranuar nga Lazio

Lazio gjatë orëve të fundit pranoi ofertën e re nga Mallorca. Të vetëdijshëm për rrethanat e krijuara me rastin e negociatave me Clug Brugge, të cilat shkuan mirë, por në fund dështoi nënshkrimi për arsye të testeve mjekësore - Tare dhe Lottito u detyruan që ta pranonin një zbritje për dallim nga kërkesat që i kishin para disa javësh.

Klubi italian insistonte që për Muriqin të përfitonte të paktën 11 milionë euro. Sidoqoftë, në fund u pajtuan për një shifër pak më të vogël, të cilën ia propozoi Mallorca.

Drejtuesit e klubit ishullor kanë dërguar një ofertë prej 9,3 milionë eurosh, e cila është pranuar nga Lazio. Në marrëveshje janë të përfshira edhe disa bonuse, të cilat janë të ndërlidhura me mbijtesën në ligë të skuadrës.

Një gjë që akoma nuk dihet me qartësi ka të bëjë me kohëzgjatjen e kontratës. Ajo çfarë dihet është se sulmuesi 28-vjeç do të mund që ta vazhdojë punën e mirë që kishte lënë në gjysmë te Mallorca gjatë gjashtë muajve sa qëndroi në huazim.

Testet e fundit mjekësore me Club Brugge, shije e hidhur

Për hir të vërtetës, testet mjekësore kanë lënë shije të hidhur për Muriqin së fundi, pasi një përvojë e tij rezultoi shumë e rëndë me Club Brugge. Në bazë të arsyetimit të belgëbe, 28-vjeçari nuk i kishte kaluar me sukses testet mjekësore.

Vetë drejtori i Lazios në një prononcim ekskluziv për Gazetën Nacionale kishte pranuar se klubet kishin arritur marrëveshje të plotë, ku në fund ata do t'i përfitonin plot 11 milionë euro.

Skenari nuk shkoi ashtu siç u prit. Testet mjekësore në bazë të interpretimit të medieve të afërta me klubin belg, evidentuan se ka pasur shumë të meta në gjendjen fizike të sulmuesit kosovar.

Kjo shtyu Club Bruggen që të hiqte dorë nga blerja e kartonit të tij. Këtë fakt me shumë vështirësi Lazio arriti ta gëlltiste. Sipas medieve italiane, Lazio kishte ndërmend që ta padiste në FIFA Club Bruggen. Në fund, u shtensionuan raportet.

Ndërkohë, vetë klubi italian e ftoi Muriqin për t'u nënshtruar testeve mjekësore. Për dallim prej mjekëve të klubit belg, ata italianë nuk panë asgjë të parregullt, duke konstatuar se gjendja fizike e lojtarit të Kombëtares së Kosovës ishte më se optimale.

Gjithsesi, tani Vedat Muriqi është një hap pranë zyrtarizimit si futbollist i Mallorcas, aty ku gjeti shkëlqimin e tij, i cili i mungonte qëkur u largua nga Fenerbahçe.

Lajme të ngjashme