Vedat Muriqi iu përgjigj pozitivisht ftesës së Kombëtares së Kosovës, gazeta spanjolle thotë se udhëtoi për asgjë
Gazeta prestigjioze spanjolle AS, i ka dedikuar sot një shkrim sulmuesit të Kombëtares së Kosovës, Vedat Muriqit. Ata e kanë quajtur një udhëtim për asgjë të ‘Piratit’, për arsyen se nuk do të luajë fare për Kombëtaren në këtë grumbullim.
Dardanët në plan për këtë muaj kishin për të zhvilluar dy ndeshje kualifikuese, atë me Andorrën që luhet sot dhe një tjetër me Izraelin, e cila zyrtarisht është shtyrë për një datë të pacaktuar.
Vedat Muriqi në ndeshjen e fundit për Kombëtaren e Kosovës u ndëshkua me karton të kuq, pas dy të verdhëve dhe si rrjedhojë u pezullua për një ndeshje, por që ai u ftua nga Kosova pasi do të ishte në gjendje të luante ndaj Izraelit.
Ndeshja mes Kosovës dhe Izraelit e paraparë të zhvillohej të dielën nuk do të luhet për shkak të gjendjes së luftës në shtetin izraelit dhe kjo nuk kishte si të parashikohej nga lojtari dhe Kombëtarja e Kosovës, me gazetën spanjolle që u tregua tejet tendencioze në këtë rast.
“Futbollisti i Kosovës ka udhëtuar me ekipin e tij për asgjë, sepse në kalendarin e datave për kombëtare ai nuk do të luajë në asnjërën prej dy ndeshjeve kualifikuese për ‘Euro 2024’. Të enjten, Kosova luan në orën 20:45 kundër Andorrës në ndeshjen e xhiros së shtatë të fazës grupore të Grupit I, por sulmuesi është i suspenduar dhe nuk do të mund të luajë në ndeshje. Në anën tjetër, ndeshja në Prishtinë të dielën më 15 tetor kundër Izraelit, është shtyrë për shkak të situatës në Izrael, dhe nuk ka datë se kur do të luhet sepse UEFA nuk e ka dhënë ndonjë koment shtesë për këtë çështje.”
Kombëtarja e Kosovës sot e zhvillon ndeshjen e shtatë në kuadër të grupit I kualfiikues për EURO 2024, por me shanse minimale për kualifikim, pasi gjendet në vendin e katërt në grup, larg dy vendeve të para që çojnë drejt Evropianit të Berlinit.
