Kosova mysafir i Andorrës “së vështirë”
Kombëtarja e Kosovës është mysafir i Andorrës, në kuadër të xhiros së shtatë për kualifikimet në Kampionat Evropian.
“Dardanët” mund të thuhet se e kanë të pamundur kualifikimin tutje pas humbjes nga Rumania, por synimi është të arkëtohen pikët e plota që ta mbyllin sa më lartë.
Përzgjedhësi Primoz Gliha e vlerësoi Andorrën si një ekip shumë i fortë, duke kujtuar momentet sa të vështirë i kishte ndeshjet sa ishte lojtar.
“Luajmë me Andorrën që është një ekip shumë i fortë. Gjatë karrierës sime si trajner në ekipe të ndryshme kam luajtur disa herë kundër Andorrës dhe nuk ka qenë aspak lehtë. Është shumë vështirë të luhet ndaj Andorrës për shkak të mentalitetit të fortë të futbollistëve dhe kjo mund të na komplikojë gjërat. Por, sido që të jetë, ne do të jemi të gatshëm për këtë ndeshje dhe do të shohim se si do të shkojë loja”.
Ndërkohë, Albion Rrahmani ka pranuar se synon t’i ndihmojë skuadrës për t’i arkëtuar pikët e plota, që do të ishte njëkohësisht fitorja e parë.
“Na pret një ndeshje e vështirë, por ne lojtarët do të japim gjithçka në fushë dhe nëse e bëjmë këtë, atëherë do të marrim edhe fitoren. Do të mundohem ta ndihmoj ekipin të arrij objektivin që ka, për ta fituar ndeshjen. Kjo fitore do të jetë e rëndësishme për të filluar një cikël të ri me rezultate dhe shpresoj ta arrijmë këtë”.
Kujtojmë, ndeshja do të zhvillohet me fillim nga ora 20:45.
