Vedat Muriqi blerje rekord e Club Brugges, mësohet kur do t'u nënshtrohet testeve mjekësore - NACIONALE

Vedat Muriqi blerje rekord e Club Brugges, mësohet kur do t'u nënshtrohet testeve mjekësore

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Vedat Muriqi është shumë afër të zyrtarizohet si lojtar i Club Brugges. Tashmë gazetarët nga Belgjika kanë bërë të ditur edhe detaje tjera në lidhje me këtë blerje.

Sulmuesi kosovar, Vedat Muriqi, pasi ishte për gjashtë muaj i huazuar në Mallorca nga Lazio. Pas përfundimit të asaj periudhe të huazimit, Mallorca nuk ia doli assesi që ta ushtrojë të drejtën për ta blerë kartonin e tij.

Mirëpo, gjatë ditëve të fundit klubi belg Club Brugges bëri hapin e madh, duke arritur marrëveshjen me Lazion, në mënyrë që Muriqi të mund të federohet si lojtar i tyre.

Tashmë Muriqi vetëm se ka zbarkuar në Belgjikë. Gazetari sportiv belg, David Van den Brock, raporton se sulmuesi kosovar nesër do t'u nënshtrohet testeve mjekësore.

Sulmuesi 28-vjeç tashmë ka zbarkuar në tokën belge siç mund ta shihni edhe në fotografinë më poshtë.



Për Club Brugges kjo është blerje rekorde. Afrimi i Muriqit i ka kushtuar atyre plot 11 milionë euro. Diçka të tillë për gazetën Nacionale e ka konfirmuar gjatë ditës së djeshme edhe vetë drejtori i klubit të Lazios, Igli Tare.

“Po. Jo për 9 milionë por për 11 milionë”, tha Tare për Nacionalen i pyetur nëse Muriqi ishte buzë kalimit në Brugge për 9 milionë euro.

Gjithsesi, pak orë më herët vetë Muriqi kishte konfirmuar se po largohej në drejtim të Club Brugges, duke shfrytëzuar rastin që t'i përshëndeste në mënyrën më të ngrohtë të mundshme edhe tifozët dhe vetë klubin e Mallorcas.

Club Brugges para se ta nisë edicionin e ri të kampionatit belg do të luajë në finalen e Superkupës pas dhjetë ditësh, më 17 korrik, ku do të përballet ndaj Gent.

Vedat Muriqi kontributin e tij në fushë me fanellën e re në një ndeshje të kampionatit do të mund ta japë nga 24 korriku, kur është në program edhe ndeshja e javës së parë në shtëpi kundër Genk.

Lajme të ngjashme