Varane: Ronaldo është një legjendë
Francezi, Raphael Varane, është hedhur në mbrojtje të bashkëlojtarit të tij, Cristiano Ronaldo, për të cilin spekulohet çdo ditë se ku do ta gjejë e ardhmja pasi shprehu dëshirën për largim nga Manchester United. Mbrojtësi i djajve të kuq e ka quajtur legjendë portugezin.
Varane hodhi poshtë tezën se Manchester United do të ishte më e fortë si skuadër pa Ronaldon në ekip, duke e përshkruar si lojtar të madh dhe legjendë të këtij klubi e futbollit. Sulmuesi portugez shënoi 24 gola në të gjitha garat gjatë sezonit të kaluar, por gjithsesi u përball me kritikat, pasi që djajtë e kuq grumbulluan numrin më të vogël të pikëve ndonjëherë në Premierligë.
Sipas GOAL, Ronaldo kërkon me ngulm largimin, pasi që United dështoi të kualifikohet në Ligën e Kampionëve, por Varane ka shpresa ende se do të luaj përkrahë pesë herë fituesit të Topit të Artë.
Çfarë tha Varane për Ronaldon?
Gjatë sezonit 2021/22 është parë një ngurrim më i madh i Ronaldos në fushë, një angazhim më i vogël se në sezonin paraprak në Juventus, ndonëse se edhe atje nuk fitoi titullin në sezonin e fundit, krejt kjo mund të shihet edhe si shkak i moshës, por lojtar të mëdhenj si Ronaldo, vitet i shohin vetëm si numër.
Nëse Ronaldo qëndron e që ka pak gjasa, është sugjeruar se me një angazhim më të madh do të jetë një sezon krejt tjetër nën urdhrat e Erik ten Hag.
Varane asnjëherë nuk ka qenë në dyshime për rolin e Ronaldos në skuadër, sidoqoftë ai për BBC Sport tha se debati për të ardhmen e tij nuk është bërë në dhomat e zhveshjes.

“Ne i dimë kualitetet e tij. Dhe e dimë se sa i famshëm është. Prandaj ne e dimë se shumë njerëz do të flasin për paraqitjet tona dhe paraqitjet e tij.”
“Ronaldo është një garues i madh. Ai është një legjendë dhe gjithmonë mundohet ta ndihmojë skuadrën, dhe sigurisht është shumë mirë të luash përkrah tij.”
Kapiteni i skuadrës së Manchester United, Harry Maguire, erdhi në skuadër nën dilemën se a do të jetë kapiten apo do ta zëvendësoj Ronaldo, por Ten Hag e konfirmoi se mbrojtësi do të qëndrojë ende si kapiten i skuadrës.
“Konkurrenca është e mirë për skuadrën. Harry është lojtar i rëndësishëm për ne. Ai është kapiteni ynë dhe natyrisht se ka kualitete të mira.”
“Skuadra gjithmonë është më e mirë kur ka konkurrencë. Çdo skuadër e madhe është kështu. Nëse çdo kush lufton për skuadrën, kjo është gjë e mirë.”


