Varane: Doja ta mbyllja karrierën te Man Unitedi, por projekti s’ishte i përshtatshëm
Mbrojtësi Raphael Varane planifikoi ta mbyllte karrierën te Manchester Unitedi, por u ndje se projekti i klubit nuk i përshtatej andaj edhe u largua.
Francezi kaloi tre vite në “Old Trafford”, ku fitoi FA Cup dhe Carabao Cup, por që pësoi lëndime të shpeshta, me “Djajtë e Kuq” që po vuanin për konsistencë në Premierligë.
Në fundin e sezonit, 31-vjeçari u largua nga Unitedi për t’’iu bashkuar Comos mirëpo pastaj shkaku i një lëndimi në gju, ndryshoi mendje dhe vendosi të pensionohet në moshën 31-vjeçare.
Varane së fundmi ka zbuluar se kur iu bashkua Unitedit nga Reali më 2021, ai kishte për synim që klubi anglez të ishte i fundit për të, por projekti nuk iu përshtat.
“Në fillimin e sezonit të kaluar te Man Unitedi po i thosha vetës së do të doja ta mbyllja aty, për ta vazhduar aventurën pak. Nuk ndodhi dhe pastaj në verë ndodhën shumë ngjarje”.
“Po shikoja për diçka të veçantë dhe gjeta Comon. Me Unitedin, e mbylla me një fitore në FA Cup, por e dija se projekti i klubit nuk më përshtatet mua”.
“Como kishte një projekt ndryshe, kuptohet jo aq të mirë financiarisht, por në aspektin njerëzor ishte në rregull. Doja edhe të luaja, vetëm një herë në javë”, nënvizoi ai.
Varane zhvilloi 95 paraqitje për Man Unitedin duke shënuar dy gola, por suksesin më të madh e kishte te Real Madridi, ku e fitoi katër herë Ligën e Kampionëve dhe tre herë titullin e La Liga-s. Mbrojtësi ndër të tjera e ngriti edhe Kupën e Botës me Francën më 2018.