UEFA: Me dijeninë tonë Sylejman Selimi nuk është anëtar i Komitetit Ekzekutiv të FFK-së
UEFA ka thënë për Gazetën Nacionale se me dijeninë e saj Sylejman Selimi nuk është anëtar i Komitetit Ekzekutiv të Federatës së Futbollit të Kosovës, megjithëse se shtëpia e futbollit kosovar e kishte emëruar Selimin në këtë pozitë muaj më parë duke e shkelur statutin e vet.
E pyetur nga Nacionale nëse është në dijeni se FFK-ja e ka shkelur Statutin e vet duke e emëruar Selimin – shtëpia e futbollit evropian – pjesë e së cilës Kosova është që prej vitit 2016, tha: “Një çështje e tillë duhet të zgjidhet në nivel nacional në përputhje me rregullat dhe ligjet e Federatës.”
Por UEFA thotë se me dijeninë e saj Selimi nuk është fare anëtar i Komitetit Ekzekutiv dhe se ai nuk merr pjesë në takimet e organit më të lartë të FFK-së.
“Megjithatë, ne kuptojmë se, në kohën e këtij shkrimi, me dijeninë tonë Sylejman Selimi nuk është anëtar i Komitetit Ekzekutiv të Federatës së Futbollit të Kosovës.”
“Prandaj, ai nuk merr pjesë në asnjë takim të Komitetit Ekzekutiv të organit qeverisës (FFK).”
Duke e emëruar Selimin në organin e vet më të lartë ekzekutiv, FFK-ja e shkeli Statutin e vet, më saktë Nenin 37, pikën 6 të Statutit të vet, i cili e ndalon emërimin e një personi të dënuar për vepër penale.
Në vitin 2015, Selimi u shpallë fajtor dhe u dënua me shtatë vjet burim për veprën penale “keqtrajtim të ndaluarve në fshatin Likoc gjatë luftës”. Ai u lirua me kusht nga burgu në fillim të vitit 2019 për “sjellje korrekte”.

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) kishte thënë për Gazetën Nacionale në kohën e emërimit të Selimit se, pavarësisht se Selimi ishte liruar me kusht, ai konsiderohet si i dënuar në bazë të Kodit Penal të Kosovës dhe afatit të rehabilitimit ligjor.
"Statuti i FFK përcakton kriteret që duhet të plotësoj një person për t’u kandiduar në një organ apo trup statutar të FFK-së. Ndër këto kritere është edhe ajo që kandidati nuk duhet të jetë i dënuar me vepër penale. Z. Selimi ka qenë i dënuar me 7 vite burgim dhe është liruar me kusht në janar të vitit 2019. Pra, para 3 vite e gjysmë. Në rastin konkret, sipas Kodit Penal, afati i rehabilitimit ligjor, pas të cilit personi nuk konsiderohet i dënuar, është 10 vite, derisa afati i rehabilitimiti gjyqësor është 5 vite”, sipas IKD-së.
“Kështu, në asnjërin rast, kjo kohë nuk ka kaluar dhe z. Selimi konsiderohet i dënuar. Për këtë arsye, FFK ka bërë shkelje të statutit të saj kur ka lejuar kanditurën e z. Selimi për këtë pozitë".
Kjo është vetëm njëra prej shkeljeve në një varg dyshimesh për shkelje të Statutit të vet nga federata e futbollit.
Sepse në prill ajo e rizgjodhi presidentin Ademi në një mandat të dytë duke i thirrur zgjedhjet presidenciale disa muaj para se atij t’i mbaronte mandati i parë dhe nën dyshimin se e ka shkelur nenin 39 të Statutit të federatës.
Për më tepër, edhe vetë Ademi është duke u rigjykuar për veprën penale sulm dhe kërcënim ndaj një personi.
Ai duhej të dilte para gjyqit në fillim të këtij viti, por seanca gjyqësore dështoi dhe rigjykimi i tij nuk pritet të nisë deri në shtator.
