FFK-ja e shkeli Statutin e vet duke e emëruar Sylejman Selimin anëtar të Komitetit Ekzekutiv
Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) e ka shkelur Statutin e vet duke e emëruar Sylejman Selimin si anëtar të Komitetit Ekzekutiv, pasi personat e dënuar për vepra penale e kanë të ndaluar kandidimin.
Selimi u emëruar anëtar i ri i Komitetit Ekzekutiv më 4 maj, i propozuar nga presidenti i FFK-së, Agim Ademi.
Por duke emëruar Selimin në organin e vet më të lartë ekzekutiv, federata e futbollit e shkeli ligjin, më saktë nenin 37, pikën 6 të Statutit të vet, i cili e ndalon emërimin e një personi të dënuar për vepër penale.

Në vitin 2015, Selimi u shpallë fajtor dhe u dënua me shtatë vjet burim për veprën penale “keqtrajtim të ndaluarve në fshatin Likoc gjatë luftës”. Ai u lirua me kusht nga burgu në fillim të vitit 2019 për “sjellje korrekte”.
Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka thënë për Gazetën Nacionale se, pavarësisht se Selimi ishte liruar me kusht, ai konsiderohet si i dënuar në bazë të Kodit Penal të Kosovës dhe afatit të rehabilitimit ligjor.
"Statuti i FFK përcakton kriteret që duhet të plotësoj një person për t’u kandiduar në një organ apo trup statutar të FFK-së. Ndër këto kritere është edhe ajo që kandidati nuk duhet të jetë i dënuar me vepër penale. Z. Selimi ka qenë i dënuar me 7 vite burgim dhe është liruar me kusht në janar të vitit 2019. Pra, para 3 vite e gjysmë. Në rastin konkret, sipas Kodit Penal, afati i rehabilitimit ligjor, pas të cilit personi nuk konsiderohet i dënuar, është 10 vite, derisa afati i rehabilitimiti gjyqësor është 5 vite”, ka thënë IKD-ja për Nacionale.
IKD-ja nënvizoi se federata e futbollit e ka shkelur Statutin e vet duke e lejuar Selimin të bëhet anëtar i KE-së.
“Kështu, në asnjërin rast, kjo kohë nuk ka kaluar dhe z. Selimi konsiderohet i dënuar. Për këtë arsye, FFK ka bërë shkelje të statutit të saj kur ka lejuar kanditurën e z. Selimi për këtë pozitë", shtoi IKD.
Kjo është vetëm njëra prej shkeljeve në një varg dyshimesh për shkelje të Statutit të vet nga federata e futbollit.
Sepse në prill ajo e rizgjodhi presidentin Ademi në një mandat të dytë duke i thirrur zgjedhjet presidenciale disa muaj para se atij t’i mbaronte mandati i parë dhe nën dyshimin se e ka shkelur nenin 39 të Statutit të federatës.
Ai duhej të dilte para gjyqit në fillim të këtij muaji, por seanca gjyqësore dështoi dhe rigjykimi i tij nuk pritet të nisë deri në shtator të këtij viti.