Tyson Fury i jep tjetër ultimatum Anthony Joshuas: S’ke ku të ikësh më, Fury po vjen, nënshkruaje marrëveshjen - NACIONALE

Tyson Fury i jep tjetër ultimatum Anthony Joshuas: S’ke ku të ikësh më, Fury po vjen, nënshkruaje marrëveshjen

1 vit më parë

nga NACIONALE

Tyson Fury është rikthyer në tavolinën e bisedimeve për luftën e shumëpritur britanike me Anthony Joshuan.

Por Fury i ka vendosur tjetër afat rivalit të vet britanik dhe i ka bërë thirrje ta nënshkruajë sot marrëveshjen për supermeçin mes tyre.

“Promotori im Frank Warren më bindi që ta lejoj Queensberry t’i vazhdojë bisedimet me ekipin tënd këtë javë, edhe pse unë e dija se ju kurrë nuk do ta bënit këtë luftë”, tha Fury në një video të postuar në Twitter.

“Sapo u njoftova se BT, DAZN, ESPN, të gjithë transmetuesit janë të kënaqur me kushtet dhe janë të gatshëm ta përkrahin këtë luftë”.

Ekipi i Joshuas e ka pranuar tashmë verbalisht ofertën e Furyt për ndarje të të hyrave 60-40 për luftën e 3 dhjetorit.

Fury i kishte dhënë afat Joshuas ta nënshkruante marrëveshjen deri të hënën pasdite më 26 shtator dhe pasi ky i fundit nuk e kishte bërë, kampioni i botës në kategorinë e rëndë në WBC theksoi se lufta nuk do të ndodhte.

Dhe tani Fury e ka sfiduar sërish bashkëvendësin e vet duke i bërë thirrje ta nënshkruajë marrëveshjen sot.

“Nëse je burrë dhe nëse ke sado pak dinjitet dhe krenari për veten, nënshkruajë këtë kontratë sot. Kjo është e tëra. Nuk ke më shumë ditë, javë dhe muaj, kontratën e ke tash e dy javë dhe ende nuk e ke nënshkruar”, theksoi Fury.

“Nuk më bën nëse e nënshkruan kontratën apo jo, nuk përbën kurrfarë dallimi për mua. Sepse për mua je i mposhtur tashmë dhe unë jam kampion bote. Por po ta jap një mundësi shumë të madhe. Nuk ka mbetur asgjë tjetër për t’u rregulluar, të gjithë janë të kënaqur. Dërgoje ekipin tënd te i imi, ata janë në dispozicion tërë ditën, siç kanë qenë në dy javët e fundit. Nënshkruaje këtë kontratë”, shtoi Fury.

“Nuk ke ku të ikësh më, duhet të luftosh me mua. Nuk mund të ikësh. Fury po vjen”, theksoi ai.

Joshua nuk është më kampion botëror, sepse i humbi titujt e botës në kategorinë e rëndë në IBF, WBO dhe WBA pas disfatës kundër Oleksandr Usykut vitin e kaluar.

Usyk i mbrojti titujt kur u përballë me Joshuan për herë të dytë muajin e kaluar.

Mundësia që Fury po ia ofron Joshuas për të luftuar për titullin e kampionit të botës në WBC është e rrallë duke e parë formën e 32-vjeçarit në kohët e fundit.

Lajme të ngjashme