Turqia destinacion i ri i disa futbollistëve kosovarë, shenjë e ngecjes së tyre në karrierë
Gjatë viteve të fundit jemi dëshmitarë si një numër i madh i futbollistëve kosovarë janë transferuar në kampionatin turk. Nganjëherë disa prej tyre duke lënë edhe kampionate solide evropiane.
Në katër vitet e fundit transferimet e lojtarëve kosovarë në drejtim të Turqisë janë bërë çdoherë e më të shpeshta. Kriza e madhe në të cilën po kalojnë klubet turke, ka bërë që ato t'i ulin në masë të madhe shpenzimet. Ulja e shpenzimeve ka determinuar edhe një rivendosje të politikave fiskale me të cilat operojnë. Rrjedhimisht, pasojat kanë lindur në formë zinxhirore, duke bërë që edhe lojtarët të rëngut jo kryesorë të shënjestrohen nga klubet turke.
Fat në fatkeqësi, i cili i është përshtatur tregut ballkanik. Për këtë arsye nga Shqipëria dhe Kosova, së fundi ka një numër të madh lojtarësh që transferohen në kampionatin turk. I fundit ishte Valmir Veliu për një shifër që u raportua nga 160 mijë deri në 180 mijë euro.

Nëse për lojtarët nga futbolli vendor prapëseprapë futbolli turk i sotëm mund të llogaritet si një trampolinë që hap dyert për një avancim të mëtejm në vitet e ardhshme, e njëjta nuk mund të thuhet edhe për lojtarët e Kombëtares së Kosovës dhe të tjerë me prejardhje kosovare - që po ia mësyjnë Superligës turke.
Futbollisti i fundit nga Kombëtarja e Kosovës që vendosi ta pranojë ofertën e një klubi turk, respektivisht Karagumruk, ishte Ibrahim Dresevic. Për hir të vërtetës, ai nuk kishte gatishmëri që ta vazhdonte kontratën me Heerenveen, me pretekstin që, siç thoshte ai - "dëshiroj të luaj në njërin prej kampionateve kyçe".

Një refren të tillë e përsëriti edhe para disa javësh. Mirëpo, përfundimi e nxori atë si lojtar të Karagumruk dhe kapërcimi në cilësi të cilin e potenconte, nuk ndodhi.
Respekti dhe cilësia që ngërthente në vete futbolli turk para diç më shumë se një dekade, nuk ekziston më. Tashmë, përtej problemeve ekonomike, ai ka humbur peshë dhe shkëlqim. Edhe klubet turke në arenë ndërkombëtare janë më pak kompakte dhe konkuruese. Për këtë arsye po u mungojnë edhe rezultatet në tre kompeticionet evropiane.
Deri para vitit 2010, Superliga turke renditej në mesin e dhjetë ligave kryesore në bazë të vlerësimit nga koeficienti i UEFA-s. Më nuk qëndron e njëjta renditje. Zhytja është katandisur dyfish, duke u renditur në pozitën e 20-të. Edhe kampionati kroat momentalisht qëndron me koeficient të UEFA-s më lart se ai turk.
Në kontestin ekonomik, në 20 vitet e fundit klubet turke kanë akumuluar borxhe nga 60 milionë në 2,3 miliardë dollarë.
Pra, nuk mund të trumbetohet më kampionati turk duhet u thirrë në të njëjtat vlera sikur në të kaluarën. Njësoj nuk mund ta bëjnë as lojtarët kosovarë. Në rastin e futbollistëve si Hadërgjonaj dhe Aro Muric, që nuk kanë arritur të përshtaten në futbollin anglez për të përfunduar në Turqi - pavarësisht çfarëdo niveli të paraqitjes që mund ta kenë atje - duhet t'u faturohet si ngarendje. Ashtu edhe si Dresevicit së voni.

Nëse më parë Kombëtarja e Turqisë bazohej në ligën e saj dhe arrint rezultate solide, siç ishte ai i Botërorit në 2002-en, më nuk ndodh e njëjta gjë. Dobësimi i ligës turke ka reflektuar edhe në rezultate më të dobëta të Kombëtarës së saj. Kështu që, edhe në rastin e Kosovës, sa më shumë lojtarë që gjejnë "vetëkënaqësi" me një transferim në Turqi, edhe rezultatet në Kombëtare do të jenë të mangëta, ngase mungesa e një futbolli cilësor ku paraqiten ata - do të bëjë të mundur që të mos jenë në lartësinë e duhur për t'u përballur në kualifikimet për Evropian dhe Botëror.
Në disa raste mund të konstatohet se Turqia po preferohet si destinacion edhe për shkak të kulturës që u përshtatet në raport me besimin fetar, por sërish kjo gjë nuk i arsyeton nga regresi që po e bëjnë.