Tuchel konfirmon bisedimet për kontratën e re me Chelsean
Trajneri i Chelseas, Thomas Tuchel, ka zbuluar se përfaqësuesit e tij tashmë kanë zhvilluar bisedimet me klubin për një zgjatje të mundshme të kontratës që mund ta shohë atë të vazhdojë si trajner në Stamford Bridge të paktën deri në vitin 2026.
Gjermani iu bashkua londinezëve në janar të vitit 2021, duke zëvendësuar Frank Lampard dhe fillimisht iu dha një kontratë 18-mujore. Por pasi të kaltrit fituan Ligën e Kampionëve në maj të vitit 2021, atij iu dha një kontratë e re e cila zgjat deri në vitin 2024.

Ai tashmë ka vendosur për një zgjatje të mëtejshme, me pronarin e ri Todd Boehly i cili sheh të ardhme në skuadrën e tij nën drejtimin e ish-trajnerit të Paris Saint-Germain.
Çfarë thotë Tuchel për vazhdimin e kontratës?
Gjermani pranoi se janë zhvilluar bisedime me klubin për një zgjatje kontrate, por për momentin ai do të preferonte të qëndronte i fokusuar në afatin kalimtar veror sesa të mendojë për të ardhmen e tij.

Tuchel në një konferencë për shtyp, tha: "Ka bisedime [për një kontratë të re]. Por unë mendoj se duke pasur parasysh situatën nga vijmë dhe ku jemi në mes të periudhës së transferimeve, mendoj se është më e mira nëse përqendrohemi aty, pra në ekipin tim, në sport dhe në të qenit skuadër konkurruese.”
"Përfaqësuesit e mi flasin po me pronarët dhe kujdesen për gjithçka tjetër. Ju e dini sa i lumtur jam që jam këtu dhe sa shumë më pëlqen puna këtu. Kështu që është një gjë e mirë, kjo për të cilën po bisedohet mes palëve", thotë trajneri gjerman.
Që kur iu bashkua Chelseat, Tuchel e ka udhëhequr klubin drejt tre titujve - Ligën e Kampionëve, Superkupën e UEFA-s dhe Kupën e Botës për Klube. Të kaltrit gjithashtu përfunduan si vendi i dytë në FA Cup dhe Carabao Cup në sezonin e kaluar.
Afati kalimtar i Chelseas
Me pronarët e ri, skuadra e Chelseas, ka qenë mjaftë aktive në këtë afat kalimtar, me fokus kryesor në vijën e mbrojtjes, aty ku tashmë kanë transferuar dy lojtarë, siç janë: Kalidou Koulibaly dhe Marc Cucurella, ndërsa kanë marrë nga Manchester City yllin Raheem Sterling.

Së fundmi të kaltrit e Londrës siguruan shërbimet e mesfushorit të talentuar italian, Cesare Casadei, që më parë ishte pjesë e akademisë së Interit.
Afati kalimtar veror ende nuk ka përfunduar për Chelsean, me Tuchel që sugjeron se duhen ende lojtarë për të pasur konkurrencë në skuadër, e gjithashtu për t’i bërë ballë ndeshjeve të shumta në të gjitha garat ku ata marrin pjesë.
Pierre-Emerick Aubameyang mbetet synimi kryesor tashmë, me Chelsean që u raportua që ka dorëzuar propozim zyrtar për lojtarin te Barcelona, duke ofruar 18 milionë euro dhe shërbimet e mbrojtësit spanjoll, Marcos Alonso.