Tuchel e konfirmon se Alonso ka kërkuar largimin nga Chelsea
Trajneri i Chelseas, Thomas Tuchel, e ka pranuar se anësori spanjoll, Marcos Alonso, ka kërkuar largimin e tij nga klubi londinez, teksa është i lidhur fort me një kalim te Barcelona. Këto deklarata nga trajneri gjerman erdhën pas fitores së skuadrës së tij në xhiron e parë hapëse ndaj Evertonit, me rezultat 1:0 në Goodison Park.
Mbrojtësi i krahut të majtë ka qenë mjaftë i përfolur në këtë afat kalimtar veror, i lidhur fort me kalimin e tij në Spanjë, dhe tani me kërkesën për largim, veçse mund të bashkohet në skuadrën e Xavit.
Spekulimet për largimin e tij arritën kulmin, pasi që ai u la jashtë nga skuadra për ndeshjen e së shtunës në mbrëmje në Merseyside, për këtë arsye reagoi edhe trajneri i Chelseas për ta shpjeguar situatën.

Çfarë thotë Tuchel për Alonson?
Jo befasisht, Tuchel iu përgjigj pyetjes për 31-vjeçarin pas mbarimit të ndeshjes.
“Po, Marcos ka kërkuar të largohet dhe ne jemi pajtuar me këtë. Nuk do të kishte kuptim nëse do ta vendosja sot në skuadër një lojtar që dëshiron largimin nga këtu.”
Shumë raportime kanë ardhur se Alonso është në prag të mbylljes së marrëveshjes me Barcelonën, marrëveshje kjo që do t’i jepte fund qëndrimit gjashtëvjeçar në Londër. Sidoqoftë, spanjollët ende janë duke e vuajtur regjistrimin e disa futbollistëve të rinj, kështu që një lëvizje e Alonsos nuk do të jetë fare e lehtë.

Tuchel për afatin kalimtar veror
Dëshira për të siguruar lojtarë të rinj në Stamford Bridge ka qenë e hapur këta muaj nga trajneri gjerman i Chelseas.
Të kaltrit e Londrës janë duke vazhduar insistimin për qendërmbrojtësin e Leicester Cityt, Wesley Fofana, ndërsa sulmuesi Pierre Emerick Aubameyang ka qenë i lidhur me një kalim të mundshëm për të mbyllur hapësirat që la në sulm largimi i Romelu Lukakut drejt Interit.

Tuchel për SkySports pas ndeshjes, tha: “Nëse do mundemi do të blejmë. Nuk është e domosdoshme pozita e mesfushorit si opsion i parë, ne jemi të hapur për gjithçka.
Mendoj se do mund të përdornim energji të reja, këmbë të reja dhe të freskëta, që do nënkuptonte që skuadra të shkonte një nivel të ri. Nëse jo, atëherë ne do të luajmë me këtë skuadër, por ajo çka mendoj unë është se kemi nevojë për disa hyrje dhe më shumë cilësi”, nënvizoi për fund trajneri gjerman i Chelseas.

