Tronditet mbrojtësi i PSG-së: Askush s’më tregoi se Mbappen e bënë zv/kapiten në vendin tim - NACIONALE

Tronditet mbrojtësi i PSG-së: Askush s’më tregoi se Mbappen e bënë zv/kapiten në vendin tim

1 vit më parë

nga NACIONALE

Presnel Kimpembe ka thënë se klubi nuk e kishte njoftuar se Kylian Mbappe do ta zëvendësojë atë në rolin e zëvendëskapitenit të Paris Saint-Germainit.

Mbappe e barti shiritin e kapitenit kundër ekipit të kategorisë së tretë, Pays de Cassel në një ndeshje të Kupës së Francës, në mungesë të kapitenit Marquinhos dhe Kimpembes e Marco Verrattit – të cilët kanë qenë zëvendëskapitenë të dytë dhe tretë në të kaluarën.

Pas ndeshjes, në të cilën Mbappe i shënoi pesë gola për t’i ndihmuar PSG-së të fitojë 7:0 dhe të kalojë në rrethin tjetër, trajneri Christophe Galtier sqaroi se sulmuesi francez ka qenë zëvendëskapiten që nga vera e kaluar.

Megjithatë, Kimpembe ka këmbëngulur përmes një shkrimi në rrjetet sociale se ai nuk ishte në dijeni për këtë ndryshim në hierarkinë e skuadrës, pavarësisht se ka qenë zëvendëskapiteni i parë.

Në orët e fundit, kam dëgjuar dhe kam lexuar shumë për veten time. Prandaj, dëshiroj t’i sqaroj gjërat në mënyrë që ta shmang vazhdimin e përhapjes së informatave të rreme”, shkroi Kimpembe në Instagram.

Unë nuk u njoftova për këtë vendim, kjo është plotësisht e rreme... por unë do t’i respektoj gjithmonë vendimet e klubit”, shtoi ai.

Kimpembe është duke u shëruar nga lëndimi i tendonit në thembër dhe si pasojë mungon në ndeshjet e PSG-së.

Hera e fundit kur ai e barti shiritin e kapitenit për PSG-në ishte më 29 tetor kundër Troyes, pavarësisht se Mbappe ishte titullar në atë ndeshje.

Tani mbetet të shihet nëse Galtier do ta sqarojë këtë situatë para ndeshjes së PSG-së kundër Reims në Ligue 1 të dielën.

Lajme të ngjashme