Kylian Mbappe i shënon 5 gola kundër ekipit të kategorisë së 6-të, PSG kalon tutje në Kupën e Francës
Paris Saint-Germian ka shkatërruar tërësisht skuadrën e kategorisë së gjashtë të Kupës së Francës, Pasy de Cassel, duke e mposhtur me rezultat 7:0, ku pesë gola ka shënuar ylli francez, Kylian Mbappe, për të kaluar në 1/8 e finales.
Kampionët në fuqi të Francës, e shijuan në maksimum ndeshjen, duke kënaqur edhe egot e yjeve të tyre me golat e shumtë të shënuar.

Ishte vetëm goli i parë që vonoi deri erdhi, pastaj golat tjerë erdhën shumë shpejt.
Zhvillohej minuta e 29-të, kur Kylian Mbappe e filloi një natë të tmerrshme për skuadrën Pasy de Cassel, ku shënoi për 1:0.
Katër minuta më vonë ishte Neymar që çoi rezultatin në 2:0.
Mbappe kompletoi het-trikun e tij brenda 11 minuta.
Fillimisht golin e dytë personal e shënoi në minutën e 34-të, ndërsa të tretin dhe për rezultatin 4:0 e shënoi në minutën e 40-të, që ishte rezultati i pjesës së parë.
Sulmuesi francez shënoi edhe dy gola të tjerë në pjesën e dytë të takimit, krahas dhe një goli të Carlos Soler.
Për 5:0, Mbappe shënoi në minutën e 56-të.
Tetë minuta më vonë, Soler çoi shifrat në 6:0.
Ndërsa për rezultatin final u përkujdes Mbappe, që shënoi të pestin të tij në këtë ndeshje dhe të shtatin për Parisin.
Me fitoren 7:0, Paris Saint-Germian kalon në 1/8 e finales së Kupës së Francës.