Tomiyasu: Arteteta di gjithçka rreth futbollit, Martinelli kundërshtari më i vështirë për t'u mbuluar në stërvitje
Mbrojtësi japonez, Takehiro Tomiyasu, në një intervistë dhënë së fundi ka lëvduar trajnerin e tij, Mikel Arteta, duke e quajtur më të mirin me të cilin ka punuar gjatë karrierës. Sa i përket lojtarëve të ekipit veçoi Gabriel Martinellin.
Arsenal është në një momentum mjaft të mirë. Skuadra londineze është në rrugën e duhur për ta rikthyer titullin në sirtarin e klubit pas nëntëmbëdhjetë (19) vjetëve.
Takehiro Tomiyasu nuk është titullar në skuadrën e Artetas, por thuajse gjithmonë inkuadrohet në pjesën e dytë, duke thënë kontributin e tij. Në një intervistë dhënë së fundmi për agjencinë e lajmeve “Goal”, ai thuri elozhe për trajnerin spanjoll të ekipit.
“E aplikojmë mirë lojën që kërkon Mikel. Gjëja më e rëndësishme është që e kuptojmë idenë e lojës së trajnerit. Në këtë sezon kemi kuptuar idetë e tij dhe arrijmë t’i vëmë në pah. Ky është dallimi i madh. Arteta është trajneri më i mirë që kam pasur në karrierë. Mikel e njeh futbollin. Di gjithçka rreth tij”, tha ai.

Për mediumin në fjalë ai zbuloi edhe lojtarin më të vështirë për ta mbuluar në stërvite që ka skuadra e “Topçinjve”: “Gabriel Martinelli. Nuk ndalet kurrë. Ka ritëm dhe agresivitet. Është i ri, por kur ka topin në pronësi mund ta bëjë dallimin.”
Forma e mirë e Ben White ka ndikuar që përfaqësuesi japonez të ketë më pak minuta në dispozicion, edhe pse ai shpreson që të ketë më shumë hapësirë.
“Natyrisht që do doja të luaja si titullar. Gjëja e vetme që mund ta bëjë është ta tregojë vlerën time në fushë dhe t’i vë në pah cilësitë e mia. Dua ta ndihmoj skuadrën. Nuk ka rëndësi nëse luaj nga fillimi i ndeshjes apo nëse hy si zëvendësues. Kur zbres në fushë jap gjithçka nga vetja”, theksoi japonezi.
Më 31 gusht 2021 ai është transferuar nga Bologna në Arsenal për 18,6 milionë euro. Kontrata e tij zgjat deri më 2025 dhe ka mundësinë e vazhdimit për një vit tjetër.
