Tirana zhgënjen kundër Dudelange, eliminohet nga rrethi kualifikues në Ligën e Kampionëve - NACIONALE

Tirana zhgënjen kundër Dudelange, eliminohet nga rrethi kualifikues në Ligën e Kampionëve

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Kampionia e Shqipërisë, Tirana, është treguar e pafuqishme kundër Dudelange, duke shënuar humbje 1:2, me ç'rast edhe u eliminua nga Liga e Kampionëve me rezultat të përgjithshëm 1:3.

Sot, pritshmëritë ishin të mëdha që Tirana do të mund ta përmbyste rezultatin e ndeshjes së parë, ku pësoi humbje 1:0 kundër Dudelange në Luksemburg, por kështu nuk ndodhi. Dëshpërimi te publiku kryeqytetas ishte enorm.

Pjesa e parë

Ndeshja nisi me shumë baraspeshë në fushë. Skuadrat nuk treguan shumë vullnet për t'u hapur, në mënyrë që të lironin korridore. Tirana pati një iniciativë të lehtë në lojë.

Në minutën e 17-të, Devid hyri në zonë me vrull për ta devijuar topin drejt portës, por topi përfundoi në shtyllën e djathtë të portës pingule. Ky ishte një rast i artë për nikoqirët që ta ndryshonin tërësisht rrjedhën e ndeshjes, por fati nuk ishte në anën e tyre.

Në pjesën e mbetur të 45 minutave të para, skuadrat lojën e koncentruan në mesfushë, pa treguar gatishmëri të madhe për të rrezikuar.

Me portat e patundura dhe rezultatin baras, ato shkuan në pushimin mes dy pjesëve.

Pjesa e dytë

Tek pasi filloi pjesa e dytë, edhe loja pësoi ndryshime. Në minutat e para qasja ishte e atillë ku Tirana insistoi më shumë që të shënonte, por shumë shpejt e mori dënimin nga Dudelange.

Në minutën e 49-të të ndeshjes, Filip Bojic pranoi për mrekulli topin dhe goditja e tij përfundoi brenda kornizës së portës të Visar Bekajt, duke dërguar skuadrën mysafire në epërsi prej 0:1.

Duke dijtur që edhe në ndeshjen e parë ekipi mysafir, Dudelange, kishte fituar, atëherë gjithçka u ndërlikua për Tiranën.

Kështu, Dudelange gjeti shumë shpejt edhe dyfishimin e epërsisë. Zhvillohej minuta e 61-të e takimit, kur Dejvid Sinani kontrolloi për mrekulli topin dhe u tregua fare pragmatik, duke shënuar në cepin e majtë të portës, për t'i çuar shifrat e rezultatit në 0:2.

Sulmuesi anësor kosovar, Florent Hasani, u inkuadrua në minutën e 63-të të ndeshjes. Me këtë zëvendësim trajneri Orges Shehi u përpoq që t'i japë pak shkundje sulmit, por pa sukses. Tirana u mundua që të rikthehej në lojë, por tashmë gjithçka ishte vonë.


Në minutën e 78-të, sulmuesi Redon Xhixha shënoi në formën më të përkryer të mundur, për t'i ngjallë disi shpresat e tiranasve. Por, ishte shumë vonë.



Në vazhdim u regjistruan shumë vonesa dhe ndërprerje në lojë. Sidoqotë, skuadrat nuk patën ndonjë rast shënimi në minutat e mbetura të lojës, ani se u luajt deri në minutën e 102-të, sepse u akorduan 12 minuta shtesë.

Tirana rrugëtimin e vazhdon në Conference League

Pavarësisht eliminimit të sotëm, kjo nuk do të thotë që Tirana me kaq e mbaron ciklin e saj kualifikues në arenën evropiane. Skuadra shqiptare do të luajë në Conference League, ku gjatë mesjavës së ardhshme ndeshet kundër skuadrës boshnjake të Zrnjiskit.

Kundërshtari i ri i Tiranës sot shënoi humbje në rrethin e parë kualifikues të Ligës së Kampionëve kundër S. Tiraspol me rezultat 1:0, me ç'rast u eliminua me rezultat të përgjithshëm 1:0.

Zrnjiski u shpall kampion në kampionatin boshnjak për edicionin 2021/2022 dhe sfida në fjalë llogaritet se do të jetë e vështirë për Tiranën.

Lajme të ngjashme