Tirana pëson humbje në ndeshjen e parë kualifikuese në Ligën e Kampionëve - NACIONALE

Tirana pëson humbje në ndeshjen e parë kualifikuese në Ligën e Kampionëve

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Kampionia e Shqipërisë, Tirana, doli me humbje me rezultat 1:0 nga sfida e sontme kundër Dudelange në udhëtim.

Për Tiranën nga përfaqësuesit kosovarë titullar ishte portieri Visar Bekaj, por jo edhe Florent Hasani, i cili së voni u transferua nga kampionati hungarez.
Pjesa e parë filloi me një lojë të kujdesshme nga të dy ekipet. Tirana dukej që e kishte më shumë fatin e lojës në duart e saj, duke mos rrezikur asgjë dhe duke pasur një qarkullim të pëlqyeshëm të topit.

Skuadrat vazhduan të sttudioheshin në gjysmëfushë, duke mos i dhënë shumë hapësirë njëra-tjetrës. Kjo lojë e koncentruar në mesfushë zgjati gjatë gjithë pjesëlojës së parë, duke mos shënuar ndonjë rast për gol që ia vlen të përmendet.



Duke qenë se ndeshja parashikohej të ishte e vështirë, marrë parasysh se skuadra kundërshtare është në rritje eksponenciale gjatë viteve të fundit (për çka e tregojnë edhe rezultatet në arenë evropiane), për Tiranën loja po shkonte gjithçka mirë.

Me rezultatin baras 0:0 skuadrat shkuan në pushimin mes dy pjesëve.

Në pjesën e dytë Tirana pati gjithmonë një iniciativë të lehtë në fushë. Në minutën e 54-të ndodhi një episod që i shkoi përshtati ekipit shqiptar. Lojtari më i mirë i Dudelange, Mehdi Kirch, u ndëshkua edhe me kartonin e dytë të verdhë, për ta lënë ekipin në inferioritet numerik në minutat në vazhdim.

Fakti që Tirana ishte me një lojtar më shumë në fushë nuk prodhoi ndonjë përparësi efektive në fushë gjatë minutave që pasuan.

Skuadra shqiptare nuk ia doli që të krijojë ndonjë rast shënimi, përkundër se kishte epërsinë numerike në favorin e saj.


Në minutën e 68-të, Tirana pësoi një goditje të rëndë. Vesel Limaj u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë dhe, kësisoj, u përjashtua nga loja. Kjo bëri që prapë skuadrat të ishin të barabarta në fushë.
Pas tre minutave, Dudelange kaloi në epërsi me Mohcine Hassan, i cili bëri një lëvizje të shkëlqyer brenda zonës së rreptësisë të Tiranës, për ta mposhtur portierin e Kombëtares së Kosovës, Visar Bekaj.

Kjo epërsi e krijuar nga vendasit u ruajt deri në fund të ndeshjes. Dudelange nuk hasi fare në vështirësi që ta menaxhonte siç duhej epërsinë prej 1:0.

Tirana ndeshjen e kthimit do ta luajë në terrenin vendas më 12 korrik.

Lajme të ngjashme