Thellohet skandali në futbollin italian, edhe tetë klube tjera të përfshira përveç Juventusit
Mediet në Itali raportojnë se skandali rreth mashtrimit me deklarimin e bilancit vjetor të klubeve në Serie A është thelluar tashmë. Në sytë e Prokurorisë të Federatës Italiane të Futbollit (FIGC) janë Juventus dhe tetë klube tjera.
Prokuroria në kuadër të Federatës Italiane të Futbollit ka vendosur që edhe vetë ta rishqyrtojë skandalin në lidhje me deklarimin e rrejshëm të bilanceve vjetore nga klubet.
Një gjë të tillë ajo muaj më parë e kishte shfuqizuar, duke i deklaruar parimisht të pafajshëm të gjithë akterët që ndërlidheshin me këtë rast.
Megjithatë, zhvillimet e fundit që janë shtyrë nga Prokuroria e Torinos e kanë krijuar një momentum të ri. Kështu, edhe vetë Federata e Futbollit të Italisë, me anë të vet mekanizmit juridik, respektivisht Prokurorisë që operon nën ombrellën e saj, ka bërë të ditur që lënda është rihapur.

Në bazë të informatave të siguruara nga të përditshmet më të mëdha italiane, janë nëntë klube deri më tani që rrezikojnë të jenë subjekte të sanksioneve.
Skandali që nisi me Juventusin
Juventusi ka qenë klubi më i prekur deri në këtë fazë, pasi hetimet ndaj tij kanë detyruar edhe ish-këshillin drejtues që të dorëhiqej, me në krye ish-presidentin e klubit Agnelli.
Përveç bilancit vjetor, te Juventusi ka pasur edhe hetime të tjera, si çështja e pagesave të futbollistëve gjatë periudhës së pandemisë.
Në lidhje me diçka të tillë pati edhe një zhvillim tër gjatë ditës së sotme. Shtypi italian zbuloi përmbajtjen e intervistimit të tij në Prokurorinë e Torinos.
Giorgio Chiellini i zbuloi në hollësi pagat e fshehta, që Juventusi ua kishte dhënë lojtarëve të vet, kur ishte marrë në pyetje nga Zyra e Prokurorit Publik të Torinos.
Mediat italiane raportuan të enjten se si mbrojtësi 38-vjeçar ishte thirrur për të folur për këtë çështje para prokurorëve më 4 prill, ku i ishte kujtuar se duhej të ishte plotësisht i sinqertë kur të fliste për këtë gjendje.
Juventusi akuzohet se i ka paguar fshehurazi lojtarët e vet gjatë pandemisë së COVID-19, megjithëse në publik kishte thënë se lojtarët kishin hequr dorë nga pagat e tyre për katër muaj për t’i ndihmuar klubit në krizën financiare.

Prokurorët i kishin bërë pyetje të thjeshta fillimisht Chiellinit, si kur i ishte bashkuar klubit dhe çfarë marrëdhënie kishte me drejtuesit, si dhe sa paguhej.
Por, pa humbur kohë, atij i ishin bërë pyetje për pagat e fshehta, për të cilat ai kishte filluar me përgjigjet “nuk e mbaj në mend”.
Chiellini pastaj zbuloi se, pas disa bisedave me presidentin e klubit Andrea Agnelli dhe Fabio Paraticin, “çfarë bëmë ne ishte të hiqnim dorë nga pagat tona për katër muaj, në mënyrë që klubi të mundë të merrte frymë, me premtimin se, kur të rifillonte sezoni, bazuar në atë se çfarë do të ndodhte, një pjesë e tyre do të na ktheheshin”.
Fillimisht, Chiellini sugjeroi se nuk e kishte nënshkruar asnjë marrëveshje të fshehtë me klubin për pagat e fshehta, duke thënë: “Jo, e nënshkrova vetëm një shtrëngim të madh duarsh”.

Më pas, ai e pranoi: “E nënshkrova një letër, nuk e di nëse ekziston ende”.
Prokurorët ia kishin treguar atij marrëveshjen të cilën ai e kishte nënshkruar me klubin më 28 mars, ku theksohej se tri prej katër pagave mujore që lojtarët s’i kishin marrë, do t’iu paguheshin atyre fshehurazi.
“E njoh këtë dokument, nënshkrimi im është aty, e nënshkrova në shtëpinë e presidentit”, e pranoi Chiellini.

