Zbulohet rrëfimi i Chiellinit para prokurorëve për pagesat e fshehta të Juventusit - NACIONALE

Zbulohet rrëfimi i Chiellinit para prokurorëve për pagesat e fshehta të Juventusit

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Giorgio Chiellini i zbuloi në hollësi pagat e fshehta, që Juventusi ua kishte dhënë lojtarëve të vet, kur ishte marrë në pyetje nga Zyra e Prokurorit Publik të Torinos.

Mediat italiane raportuan të enjten se si mbrojtësi 38-vjeçar ishte thirrur për të folur për këtë çështje para prokurorëve më 4 prill, ku i ishte kujtuar se duhej të ishte plotësisht i sinqertë kur të fliste për këtë gjendje.

Juventusi akuzohet se i ka paguar fshehurazi lojtarët e vet gjatë pandemisë së COVID-19, megjithëse në publik kishte thënë se lojtarët kishin hequr dorë nga pagat e tyre për katër muaj për t’i ndihmuar klubit në krizën financiare.

Prokurorët i kishin bërë pyetje të thjeshta fillimisht Chiellinit, si kur i ishte bashkuar klubit dhe çfarë marrëdhënie kishte me drejtuesit, si dhe sa paguhej.

Por, pa humbur kohë, atij i ishin bërë pyetje për pagat e fshehta, për të cilat ai kishte filluar me përgjigjet “nuk e mbaj në mend”.

Chiellini pastaj zbuloi se, pas disa bisedave me presidentin e klubit Andrea Agnelli dhe Fabio Paraticin, “çfarë bëmë ne ishte të hiqnim dorë nga pagat tona për katër muaj, në mënyrë që klubi të mundë të merrte frymë, me premtimin se, kur të rifillonte sezoni, bazuar në atë se çfarë do të ndodhte, një pjesë e tyre do të na ktheheshin”.

Fillimisht, Chiellini sugjeroi se nuk e kishte nënshkruar asnjë marrëveshje të fshehtë me klubin për pagat e fshehta, duke thënë: “Jo, e nënshkrova vetëm një shtrëngim të madh duarsh”.

Më pas, ai e pranoi: “E nënshkrova një letër, nuk e di nëse ekziston ende”.

Prokurorët ia kishin treguar atij marrëveshjen të cilën ai e kishte nënshkruar me klubin më 28 mars, ku theksohej se tri prej katër pagave mujore që lojtarët s’i kishin marrë, do t’iu paguheshin atyre fshehurazi.

E njoh këtë dokument, nënshkrimi im është aty, e nënshkrova në shtëpinë e presidentit”, e pranoi Chiellini.

Si pasojë e kësaj, presidenti Angelli dhe i tërë bordi i Juventusit dha dorëheqje muajin e kaluar.

Lajme të ngjashme