Ten Hag për Antony: E ndreq unë atë
Erik ten Hag është zotuar se do t’i ndreqë lojtarët e Manchester Unitedit të cilët bëjnë ustallëqe me topin për hir të mburrjes, pasi anësori Antony e humbi topin pasi bëri një rrokullisje të panevojshme mbi të gjatë fitores kundër Sheriff Tiraspolit në Ligën e Evropës.
Unitedi e siguroi kualifikimin në fazën e eliminimit direkt një xhiro pa përfunduar faza grupore, falë golave nga Diogo Dalot, Marcus Rashford dhe i rikthyeri në skuadër Cristiano Ronaldo të enjten në Old Trafford.
Ky rezultat nënkupton se djajtë e kuq duhet ta mposhtin Real Sociedadin të enjten e ardhshme për ta shmangur përballjen me njërën prej skuadrave që do të vijnë nga Liga e Kampionëve në play-off.
Por njëra prej çështjeve që mori më së shumti vëmendje të enjten pas fitores kundër Sheriffit ishte rrokullisja e dyfishtë e Antony mbi topin në pjesën e parë, të cilët shumë analistë futbolli e quajtën si turpëruese, sepse braziliani e gjuajti topin jashtë lojës në tentim për të pasur.
antony did that spin 🥶 pic.twitter.com/7KtfLvSdbP
— ⚡ (@UTDCJ_) October 27, 2022
Ten Hag, i cili e largoi Antonyn nga loja gjatë pushimit mes pjesëve, tha: “Nuk e kam telash përderisa funksionon.”
“Nga ai unë kërkoj më shumë, më shumë vrapime nga mbrapa, futje më të shpeshta në zonë, më shumë driblime të shpejta. Pra ne kërkojmë më shumë mbizotërim në lojë dhe kur ka trik të tillë, është mirë”, shpjegoi ai.
Por trajneri holandez tha se nuk do të pranojë që gjëra të tilla të bëhen për hir të mburrjes: “Përderisa është funksional, dhe nuk e humb topin, atëherë në rregull është. Por nëse e bën një trik sepse dëshiron të bësh trik, atëherë e ndreq unë atë”.
Manchester Unitedi është i dyti në grup me 12 pikë, tri më pak se lideri Real Sociedad dhe përballja mes tyre në Spanjë në nëntor do të vendosë se kush do ta fitojë grupin.

