Manchester United kualifikohet tutje, Roma triumfon në udhëtim ndaj HJK
Manchester United është kualifikuar në fazën e eliminimit direkt të Ligës së Evropës, pasi fitoi 3:0 kundër Sheriff Tiraspol. Një tjetër fitore të rëndësishme korri edhe Roma, që fitoi 1:2 ndaj HJK.
Fitore mjaft me vlerë ajo e Manchester Unitedit që arriti sonte kundër Sherif Tiraspolit. Në këtë ndeshje titullar luajti edhe Cristiano Ronaldo, i cili u rikthye pas pezullimit që iu shqiptua nga klubi javën e kaluar, për shkak të masave disiplinore. Ai ia doli edhe të shënojë në këtë takim.
Me këtë fitore Manchester Unitedi siguroi kalimin tutje një xhiro para përfundimit të fazës së grupeve.
Fitore të vuajtur, por domethënëse – arriti edhe Roma e Mourinhos, që mposhti në udhëtim HJK. Lajmi i mirë është se Abraham iu rikthye golave, pas një periudhe të vështirë qëp kalonte.
Raporti i ndeshjes Manchester United 3:0 Sheriff Tiraspol
Manchester Unitedi mbizotëroi gjatë tërë ndeshjes, duke qenë skuadra më e mirë në fushë. Llogarinë e golave e hapi Dalot në minutën e 44-të.
Mbrojtësi portugez shënoi në minutën e 44-të pasi u shërbye nga Eriksen, duke kaluar në epërsi 1:0 ekipin vendës.
Në pjesën e dytë gjithçka shkoi në favor të “djajve të kuq”. Në minutën e 65-të ishte sulmuesi anglez Rashford ai që shënoi për 2:0, pasi pranoi në harkim të mirë nga Shaw.
Ndërsa, për kënaqësi të tifozëve në “Old Trafford” shënoi edhe Cristiano Ronaldo. Në minutën e 81-të pasi goditi me kokë portugezi, topin e devijoi e portieri dhe ai vrapoi për ta shtyrë në rrjetë me një goditje të dytë nga afërsia, duke çuar shifrat e rezultatit në 3:0.
Me këtë rezultat mbaroi edhe ndeshja. Manchester United tani ka 12 pikë në Grupin E dhe ka siguruar pozitën e dytë, duke u kualifikuar tutje.