Të pavaksinuar plotësisht, Kante dhe Loftus-Cheek nuk udhëtojnë me skuadrën në SHBA - NACIONALE

Të pavaksinuar plotësisht, Kante dhe Loftus-Cheek nuk udhëtojnë me skuadrën në SHBA

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Chelsea ishte në mesin e disa skuadrave angleze që kishte probleme për t'i bindur lojtarët e saj që të vaksinoheshin. Pasojat e parë kanë filluar të ndjehen.

Skuadra londineze është nisur nga kryeqyteti anglez në drejtim të SHBA-ve, atje ku do ta zhvillojnë një pjesë të fazës përgatitore verore. Një traditë tashmë për Chelsean, që në të shumtën e rasteve, sikur një pjesë e madhe e skuadrave tjera, zgjedh kontinentin e largët, Amerikën, respektivisht SHBA-të, për ta kaluar një pjesë të përgatitjeve që i paraprinë fillimit të kampionatit.



Kampionati anglez fillon në fundin e javës së parë të muajit gusht. Skuadrat kanë filluar t'i luajnë edhe miqësoret e para.

Megjithatë, për Chelsean janë shfaqur problemet e para. Ato ndërlidhen me ciklin e vaksinimit të pakompletuar në rastin e dy futbollistëve. Fjala vjen për Kante dhje Loftus-Cheek.

Privimi nga e drejta e udhëtimit drejt SHBA-ve për dy lojtarët e sipërpërmendur ka të bëjë me ligjet që janë në fuqi përtej Oqeanit. Thjesht, ato ia pamundësojnë hyrjen në territorin amerikan kujtdo që nuk e ka kompletuar proceduralisht fazën e vaksinimit.



Një gjë të tillë e ka konfirmuar përmes një shkrese zyrtare edhe vetë klubi i Chelseat. Kësisoj, skuadra londineze për aq kohë sa do të qëndrojë atje, ku do t'i zhvillojë tre miqësore, nuk do të mund të llogarisë te dy mesfushorët e saj.

Ata do të qëndrojnë në Londër, për ta bërë një përgatitje të veçantë, larg grupit, për t'iu bashkuar atij porsa të kthehen nga turneu në SHBA, ku do të marrin pjesë, ku mes tjerash do të luajnë kundër Club Amerika më 17 korrik, Charlotte më 21 korrik dhe kundër Arsenalit, rivalit direkt dhe lokal më 23 korrik.



Chelsea po has në disa probleme gjatë kësaj periudhe, pasi në plan janë disa ndryshime. Disa lojtarë janë përzgjedhur për t'u shënjestruar në tregun e lojtarëve, kurse disa të tjerë mund të largohen, për t'ua mësyer skuadrave tjera.

Lajme të ngjashme